Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar zyrtarisht listat e kandidatëve që do të garojnë në Primaret e vitit 2025. Procesi i regjistrimit ka tërhequr një interes të gjerë, me gjithsej 468 kandidatë të propozuar dhe vetëpropozuar. Nga këta, 289 kanë dorëzuar tashmë dokumentacionin e kërkuar për të vijuar më tej në garë.
Sipas të dhënave zyrtare, 89 nga kandidatët janë gra, duke përfaqësuar 31% të totalit, ndërsa 47 i përkasin grupmoshës së të rinjve, që përbën 16% të aplikantëve. Po ashtu në këtë listë, emrat që bien në sy për Qarkun e Tiranës janë: Jorida Tabaku, Dorian Teliti, Klevis Balliu por edhe Oriela Nebiaj, të cilët nuk kishin konfirmuar ende nëse do të ishin pjesë e garës.
Me propozim të Kryetarit të PD-së, Sali Berishës, dhe duke marrë parasysh se afati i dorëzimit të dokumentacionit ishte i kufizuar në kohë, Kryesia vendosi të bëjë një shtyrje të pjesshme të afatit.
Konkretisht, për kandidatët nga diaspora që kanë shprehur interes për të marrë pjesë, por nuk kanë mundur të plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentacionin në kohë, afati i fundit është zgjatur deri të shtunën, më 22 shkurt 2025, ora 24:00.
Ky vendim synon të lehtësojë pjesëmarrjen e demokratëve nga diaspora dhe të sigurojë një proces sa më gjithëpërfshirës në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme./Versus.al/
Dokumenta bashkëngjitur







