
Shqipëria do të hapë sot edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me ftesë të Danimarkës që mban aktualisht presidencën e BE. Konferenca e 6-të Ndërqeveritare do të mbahet në Bruksel dhe do të shërbejë për të hapur negociatat e anëtarësimin mbi grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).
"Mirëmëngjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord në procesin e integrimeve europiane, ju uroj një ditë të mbarë"- shkroi Rama mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale.
Takimi pritet të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Danimarkës për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre. Agjenda parashikon që Konferenca Ndërqeveritare të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 dhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së do të pasojë në orën 10:00.
Së pari do të miratohet agjenda dhe procesverbalet e konferencave ndërqeveritare të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti. Kjo do të pasohet nga fjalimet hapëse, së pari nga ministrja e Danimarkës Bjerre në emër të presidencës së Këshillit të BE-së, pastaj nga kryeministri Rama dhe hapja e negociatave për grupin 4.
Ministrja e Danimarkës do të paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë dakord nga BE-ja, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të bjerë dakord me hapjen e këtij grupi. Në mbyllje do të ketë një fjalim nga secili prej drejtuesve të konferencës. Versus.al







