
Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi foli për mediat pasi doli nga takimi me krerët e grupeve parlamentare të thirrur nga kryeparlamentari Niko Peleshi.
Duke komentuar drejtuesit e PS që u caktuan nga Rama për të drejtuar 9 prej komisioneve parlamentare, Bardhi tha se kjo tregon edhe njëherë frymën autoritare që kryeministri ka instaluar në republikën tonë.
Ndërsa theksoi se me ndryshimet e bëra me shkrirjen e komisionit të jashtëm me atë të integrimit, është mënjanuar opozita duke e lënë pa drejtimin e këtij komisioni pas 21 vitesh. Sipas tij, nuk është bërë asnjë konsultim dhe nuk u është marrë asnjë opinion lidhur me kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ndarjen e këtyre të fundit.
“Fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve të komisioneve tregon edhe njëherë frymën autoritare që Edi Rama ka instaluar në republikën e Shqipërisë. Me veprimin e shkrirjes së komisionit të Integrimit Europian, mekanimi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin e vetë konstruktiv, në këtë moment zerohet sepse ky komision është shkrirë me atë të jashtëm dhe pas 21 vitesh opozita nuk do të ketë më procesin e drejtimit të këtij procesi në Kuvend. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë komisionin e integrimit, por atë të jashtëm, pasqyron vullnetin e qeverisë për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit. Na tha se është ndjekur modeli i organizimit të bundestagut gjerman. Kushdo që e njeh atë, e di se atje ka edhe komision të jashtëm edhe komision për BE-në”- tha Bardhi mes të tjerash. Versus.al







