
Debate të ashpra kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku kryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, dhe deputeti socialist Arkend Balla shkëmbyen akuza për turizmin, situatën në vend dhe protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Përplasja nisi pasi Balla deklaroi se gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026 Shqipëria ka pritur mbi 3.7 milionë turistë të huaj, ose 8.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ai iu referua të dhënave të INSTAT dhe raportit të Barometrit Botëror të Turizmit, sipas të cilit Shqipëria renditet ndër vendet me rritjen më të lartë të turizmit krahasuar me vitin 2019.
Zhupa refuzoi të dëgjonte argumentet e deputetit socialist, duke i cilësuar shifrat si "broçkulla" dhe duke akuzuar qeverinë se është përgjegjëse për "shkatërrimin e vendit".
Debati u tensionua edhe më tej, kur Balla akuzoi opozitën se qëndron pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, duke thënë se ato po zbehen pasi janë marrë në dorë nga Sali Berisha.
Nga ana tjetër, Zhupa hodhi poshtë akuzat dhe ironizoi qëndrimet e mazhorancës, duke thënë se socialistët duhet të unifikojnë qëndrimin e tyre për organizatorët e protestave.
Mes ndërprerjeve dhe replikave të vazhdueshme, mbledhja u karakterizua nga tone të larta dhe akuza politike, ndërsa diskutimi u largua nga rendi i ditës dhe u fokusua te zhvillimet e fundit politike në vend.
Pjesë nga debati në Komision:
Arkend Balla: Ç’është më këtë siklet?
Zhupa: E kam një siklet, sepse po shkatërroni vendin, e kam këtë siklet. Ju se keni sepse jeni autorët.
Arkend Balla: Autorët e protestës jeni ju në fakt edhe ju e dini.
Zhupa: Jo jo, ju jeni autorët e shkatërrimit.
Arkend Balla: Në pesëmujorin e parë të vitit 2026, Shqipëria ka pritur mbi 3.7 milionë turistë të huaj, kundrejt 3.4 milionë turistëve në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ka një rritje krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rreth 8.2%. Dhe po të lexoj dhe disa raporte që ka publikuar forumi, barometri botëror i turizmit, ku thotë se Shqipëria u rendit e para në botë për bumin turistik, me një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2019. Po më dëgjon kryetare?
Zhupa: Jo nuk po ju dëgjoj. Sepse unë kam hequr dorë nga e dëgjuara e broçkullave.
Arkend Balla: Këto janë shifra, a do më dëgjosh?
Zhupa: Jo nuk do të dëgjoj.
Arkend Balla: Bëre një monolog të Partisë Demokratike këtu. Po të tregoj shifrat e INSTAT, për vitin 2025 kemi një rritje prej 8.2% të numrit të turistëve.
Zhupa: Çfarë domethënë ke ujë këtu? Ke drita këtu? Ke rrugë këtu? Ke ujë, ke ndonjë gjë? Unë besoj vetëm shifra që prodhon Komisioni Europian.
Arkend Balla: Kë njeh, shifrat e Saliut?
Zhupa: Jo, Saliu nuk prodhon Shifra më thënë të drejtën, po të prodhonte do i njihja me patjetër sepse do i kishte serioze.
Arkend Balla: Zyra e propagandës së PD, prodhon shifra marramendëse.
Zhupa: Unë besoj Komisionin Evropian.
Arkend Balla: Nuk po më dëgjoje se po merreshe me telefonin. Mos ki merak, nuk të kap algoritmi. Se jeni vetë organizatorët e protestës. Sa e morët ju në dorë “Flamingot” e Saliu, e keni parë se si e keni katandisur.
Zhupa: Zoti Balla, dakordësohuni me njëri-tjetrin, se njëri thotë nuk jeni ju organizatorët, ju thoni jeni ju, të tjerë iranianët.
Arkend Balla: Nuk jemi si ju se kur flet Saliu, keni të gjithë një mendim.

