AKTUALITET /

VIDEO/ Sazani ndez fushatën zgjedhore në SHBA, senatori amerikan akuza Jared Kushner për marrëveshje të dyshimta toke

Sipas senatorit amerikan, “vetëm pak javë pasi Trump fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Shqipërisë i dha kompanisë së Jared Kushner statusin e investitorit strategjik”, duke shtuar se kjo përshpejtoi procedurat dhe lejet për projektin

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Sazani ndez fushatën zgjedhore në SHBA, senatori amerikan akuza

Projekti i dhëndrit të Trump dhe vajzës së presidentit amerikan Ivanka Trump ishullin e Sazanit, ka ndezur fushatën zgjedhore në SHBA.

Senatori demokrat nga Georgia, Jon Ossoff, i cili po kërkon rizgjedhjen në Senat, përdori Shqipërinë dhe marrëveshjen mes qeverisë së Edi Ramës dhe kompanisë së Jared Kushner si një nga shembujt kryesorë në sulmin e tij ndaj familjes Trump.

Gjatë një aktiviteti elektoral në Savannah të shtetit të Georgia-s, Ossoff tha se “është një ishull i vogël dhe i bukur pranë bregdetit shqiptar që quhet Sazan” dhe akuzoi Jared Kushner se, pasi mori financime saudite, vendosi të ndërtonte aty një resort luksoz.

Sipas senatorit amerikan, “vetëm pak javë pasi Trump fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Shqipërisë i dha kompanisë së Jared Kushner statusin e investitorit strategjik”, duke shtuar se kjo përshpejtoi procedurat dhe lejet për projektin.

Ossoff e cilësoi Sazanin si “një thesar kombëtar shqiptar” dhe tha se ujërat e tij ishin të mbrojtura deri sa, sipas tij, ligji u ndryshua për t’i hapur rrugë resortit të Kushner.

Në fjalimin e tij, senatori demokrat iu referua edhe protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke deklaruar se “dhjetëra mijëra njerëz” kanë dalë në rrugët e Tiranës në atë që ai e quajti “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje që, sipas tij, u nxit nga kundërshtimi ndaj marrëveshjes për projektin.

Ossoff përmendi gjithashtu edhe hetimet e SPAK-ut, duke iu referuar ngrirjes së një llogarie bankare të lidhur me dy investitorë të projektit, përpara se të ngrinte pyetjen: “A do t’i merrte Jared Kushner këto privilegje për të blerë një ishull nëse nuk do të ishte dhëndri i presidentit?”

Më pas ai e lidhi rastin shqiptar me akuzat e tij më të gjera ndaj familjes Trump, duke përmendur investime në Lindjen e Mesme, biznesin e kriptomonedhave dhe projekte të tjera ndërkombëtare, për të argumentuar se familja Trump, sipas tij, po përfiton nga lidhjet politike.

Në fund të fjalimit, Ossoff paralajmëroi se të gjithë personat e përfshirë në këto çështje mund të përballen me hetime nga Kongresi amerikan, duke deklaruar: “Nëse jeni të përfshirë në ndonjë nga këto, vitin tjetër do të ngrini dorën e djathtë dhe do të betoheni se do të thoni të vërtetën përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”

Poll