AKTUALITET /

E trishtë te “313”-ta, dy punonjësit e burgut humbin jetën në krye të detyrës! Pësuan atak-kardiak

Të dy punonjësit ndërruan jetë brenda pak orësh.

Shkruar nga Versus

E trishtë te “313”-ta, dy punonjësit e burgut humbin

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në burgun "Jordan Misja" në Tiranë. Dy punonjës të burgut, njëri efektiv i policisë dhe tjetri teknik i kamerave, kanë ndërruar jetë si pasojë e atakut kardiak. 

Rreth orës 21:36 të mbrëmjes, efektivi Zog Muhametaj pati një situatë tejet të vështirë shëndetësore si pasojë e një ataku kardiak dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve, Muhametaj nuk arriti të mbijetojë. 

Pak orë  më vonë rreth orës 00:00 të 30 qershorit, Pëllumb Vrana teksa ushtronte detyrën e tij si teknik i kamerave, pësoi atak kardiak dhe u transportua në QSUT ku edhe ndërroi jetë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. 

"Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP "Jordan Misja". Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.
Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar. Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij"- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve. Versus.al

Poll