
Monika Kryemadhi ka folur hapur për divorcin me Ilir Meta , duke e cilësuar atë si një nga momentet më të vështira të jetës së saj.
Ajo u shpreh në TopStory se përballja me sëmundjen dhe divorci kanë qenë dy sfidat më të mëdha, duke theksuar se nga kjo përvojë ka dalë më e fortë. Kryemadhi shtoi se nuk e ka parë veten kurrë në rolin e viktimës dhe ka zgjedhur të ecë përpara, pavarësisht vështirësive.
Duke folur për prapaskenat politike, ajo tregoi se marrëdhëniet brenda LSI kanë qenë të ndara, ku një pjesë e strukturave mbështesnin më shumë Ilir Metën sesa atë. Sipas saj, partia u përball me sfida të mëdha sidomos pas zgjedhjes së Metës President, duke mbetur mes përplasjeve politike me partitë e mëdha.
Kryemadhi theksoi se nuk e kishte menduar që politika do të ndikonte në jetën e saj personale deri në pikën e divorcit, ndërsa zbuloi edhe tensione në vendimmarrjet politike, përfshirë qëndrime të ndryshme për aksionet opozitare dhe bojkotet.
Ajo përfundoi duke theksuar se, pavarësisht të kaluarës me ulje-ngritje, ka zgjedhur të përqendrohet tek e ardhmja dhe të vazhdojë rrugën e saj.
“Janë dy momente të vështira për jetën time. Një ka qenë sëmundja se aty kuptova sa e brishtë jam dhe e dyta ka qenë divorci, ku kuptova sa e fortë jam. Vendos në një balancë mundësitë e tua. Mund të bëja viktimën, por vendosa të eci përpara. Nuk më shkon shumë roli i viktimës, sepse është false, unë kam luftuar gjithmonë. E shkuara ka të bukurat e saj, por ka edhe ato të këqija. Zhgënjehet shumë kur gjendet një kauzë e vogël për ta distancuar ose larguar. Në jetë çiftet kanë uljet dhe ngritjet e tyre, nuk e mendoja që politika do të sillte divorcin tim.
Unë kam qenë egoiste në arenë, por jo në familje. Janë ndarë gjithmonë njerëzit brenda partisë. Në pushtet ishin ata të Ilirit, ndërsa të mitë ishin ata që numëronin votat dhe ishin gjithmonë aty. Mora një parti ku ishin me deputetët e burrit, dhe ishin me ish-ministrat e burrit, kishte një grup parlamentar i cili ishte më shumë lidhje shpirtërore me Ilir Metën sesa me Monika Kryemadhin, ishte një parti e cila kur Ilir Meta vajti president u la përballë PD-së dhe PS-së.
Unë quhesha terroriste politike. Kjo pasi në takimet ndërkombëtare që bëheshin nga opozita, pasi deputetët që kishte LSI krijonte balanca. Më lutej, për të kaluar ligjin e magjistraturës. Ai ka qenë 0 i përfshirë, përveçse djegies së mandateve, ai ka qenë kundër, edhe për bojkotet që bënim herë pas herë. Do ta digjja vetëm unë ta digjja mandatin dhe më pas të tjerët do të prisnin sa të vinte Ilir Meta. Aksioni opozitar u la në mes të rrugë”, tha ajo.

