POLITIKË /

“Nuk më kandidojnë se jam SPAK-ist”, deputeti Dashnor Sula lihet jashtë listave për zgjedhjet e 11 majit

Sula shkruan se po shkelet statuti i PD duke qenë se pavarësisht se doli i pari në Primaret e Elbasanit, nuk është futur në listat e kandidatëve për deputetë.

Shkruar nga Versus

“Nuk më kandidojnë se jam SPAK-ist”, deputeti Dashnor Sula

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale ka bërë me dije se është lënë jashtë listave të kandidatëve për ligjvënës në zgjedhjet e 11 majit.

Sula shprehur revoltën e tij duke pretenduar për padrejtësi dhe se ky vendim për ta lënë jashtë listave nuk përputhet me aktivizmin e tij të vazhdueshëm në PD.  Sipas tij, arsyeja e këtij përjashtimi është mbështetja që ka dhënë për SPAK, ndërsa ka ftuar mediat ta ndjekin në një konferencë për shtyp në orën 21:00.

Reagimi i plotë:

Listë fituese apo listë për një përfitues?!

Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të listës për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe te trumbetuara ne media?!

Ndonëse 70-80% e kryesisë së PD defakto ishin kundër primareve, referuar statutit dhe insistimit të PD, primaret u zhvilluan. Si një deputet i qarkut të Elbasanit që përfaqësoj Bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, pas 4 vitesh deputet u futa me bindjen pa bërë kulisa të brendshme për të parë a kisha mbështetjen e demokratëve për ri përfaqësuar edhe një mandat. Faleminderit demokratëve, të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshir e Belshit, dola i pari si më i votuar.

Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.

Instituti i Studjimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje.

Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojt edhe Partinë Demokratike.

Kam takuar mijëra Shqiptarë në diasporë në këto 2-3 muajt e fundit me një objektiv dhe dëshirë të vetme, ti bind të kontribojne për të bërë vendin e tyre të begatë. Jam pritur me shumë respekt siç edhe i vlersojë

Por, të dashur miq, sapo jam njoftuar se nuk do të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për një arsye të vetme; sepse jam “SPAKIST”.

Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.

Për mua kjo është një medalje që më vendoset pas 3 mandatesh deputet, po të kihet parasysh se jam mbështetës i atyre strukturave të Drejtësisë, të cilat nga cdo sondazh i bërë, dalin si institucionet më të besuara në vend.

Për veten nuk kam asnjë keqardhje, kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë.

Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë… ftoj të gjithë demokratët që për më shumë të më ndjekin sot në orën 21:00 në media.

Përndryshe, Sula njihet si një ndër deputetët më aktivë të PD edhe në Kuvend ku shpesh herë deklaratat e tij në foltore janë bërë virale. Një prej tyre edhe lidhur me situatën në spitalin e Elbasanit ku denonconte sjelljen e mjekëve ndaj qytetarëve që nuk kishin mundësi ekonomike. 

Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga kryedemokrati Sali Berisha i cili në orën 17:00 mbledh kryesinë e më pas në orën 19:00 edhe këshillin kombëtar për detajet e fundit në listat e kandidatëve. Versus.al

Poll