
Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një komunikimi në rrjetet sociale foli për “Paketën e Maleve” duke shpjeguar se sipas tij nuk jemi në kushtet kur malet po shiten, por kur ata që kanë prona të trashëguara mund t’i regjistrojnë dhe të hapin bujtina.
Ai shtoi se mijëra emigrantë shqiptarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e trashëguara nga paraardhësit.
“Nuk jemi në kushtet kur po shiten malet. Jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë. Jemi në kushtet kur njerëz të cilët kanë një pemtore të cilën e mirëmbajnë prej vitesh dhe për të cilën kanë pamundësi që të kenë letrat për arsyet që thashë, mund të pajisen me një leje për të bërë një agropërpunim. Jemi në kushtet kur mijëra emigrant kanë shprehur interes sepse duan të investojnë sepse kanë kuptuar se turizmi në Shqipëri do të bëhet gjithmonë e më domethënës pë rata që do të investojnë në eskperiencë dhe përvojë”- tha Rama.
Më tej shtoi se nëse Paketa e Maleve anulohet, njerëzit që kanë prona të trashëguara do të mbeten pezull.
“Paketa e maleve është politikë për njerëzit, të drejtën e pronës, të drejtën e zhvillimit të pronës. Është politikë që i shkon për shtat tëgjithë atyre që për shumë e shumë vite nuk kanë mundur ta kthejnë pronën e tyre në një asset financiar. Ta kthejnë në një mundësi për të vendosur një kolateral dhe për t’u zhvilluar më tutje. Çfarë domethënë të anulohet paketa e maleve? Do të thotë që të gjithë këta njerëz të mbeten pezull.
Nuk kam parë të çohet ndonjë që ka toka dhe të thotë kjo paketë po na merr pronat, po na zhvesh nga pronësia, po na heq nga atdheu. Nuk e bëjnë ata, sepse mezi e presin. Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie”- shtoi Rama mes të tjerash. Versus.al

