POLITIKË /

PD kundër hetimit për komentet negative online, Berisha: Po cenohet liria e shprehjes, do kërkojmë komision hetimor

Berisha e ka cilësuar këtë nismë si një “hakmarrje primitive”, duke deklaruar se çdo qytetar ka të drejtë të japë vlerësimin dhe opinionin e tij për një shërbim që ka marrë.

Shkruar nga Versus

PD kundër hetimit për komentet negative online, Berisha: Po cenohet

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për sulmet e dyshuara ndaj bizneseve shqiptare përmes rkomenteve negative online nga mijëra llogari.

Berisha e ka cilësuar këtë nismë si një “hakmarrje primitive”, duke deklaruar se çdo qytetar ka të drejtë të japë vlerësimin dhe opinionin e tij për një shërbim që ka marrë.

Sipas kreut të PD-së, kufizimi i komenteve dhe reagimeve në rrjetet sociale përbën cenim të lirisë së shprehjes.

“PD konsideron të pacenueshme të drejtën e çdo qytetari për të shprehur përshtypjen e tij për çdo shërbim privat apo publik që merr dhe, në këtë kuadër, për klientin që ka marrë shërbimin nuk mund të ketë asnjë kufizim”, deklaroi Berisha.

Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj qeverisë, duke pretenduar se komentet negative të rreme mund të jenë të organizuara politikisht.

“Partia Demokratike shpreh dyshimet e saj më serioze se këto përshtypje false negative janë akte të organizuara nga patronazhistët e qeverisë në funksion të qëllimeve represive dhe censuruese”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi institucionet se po përgatisin, sipas tij, një mekanizëm kontrolli në hapësirën online, duke e krahasuar me vendimin për bllokimin e TikTok-ut.

“Me policimin digjital po përgatitet terreni që të bllokohen mijëra llogari dhe, nëse është e mundur, rrjetet sociale në tërësi”, tha kreu i demokratëve.

Në fund të reagimit, Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, duke pretenduar se veprimet e Policisë së Shtetit cenojnë të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur lirshëm./Versus.al

Poll