
Në komisionin e Ligjeve u miratua me shumicë votash projektligji i propozuar nga deputeti i PS, Blendi Klosi për zgjatjen deri në dhjetor të 2026-ës të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje të cilat përfaqësojnë brand-e ndërkombëtare.
Sipas këtij projektligji deri në fund të vitit 2026, hotelet luksoze nuk do të paguajnë taksa mbi fitimin që nxjerrin. Ky propozim u kundërshtua në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë gjatë javës së kaluar, duke u cilësuar edhe nga Erion Braçe si “favorizim fiskal”.
Ndërsa sot pavarësisht se projektligji u miratua dhe do të kalojë për votim në Kuvend, një kritikë për Klosin e pati edhe deputeti i PS Pandeli Majko i cili tha se nuk e kupton përse një standart i tillë duhet të funksionojë deri më 31 dhjetor 2026.
Pjesë nga diskutimi:
Majko: Me Klosin ndaj një miqësi shumë të vjetër dhe kjo është parathënie për të mos krijuar asnjë lloj keqkuptimi lidhur me rezervat që unë kam për këtë propozim. Unë u binda nga argumentet e Klosit pse duhen brandet dhe mekanizmi i brandeve si presion për rritjen e cilësisë në turizëm, por nuk kuptoj pse ky standard duhet të funksionojë si i tillë deri në dhjetor 2026. Nëse bëhet fjalë se kjo cilësi do të jetë e përhershme pse e sillni përsëri për një shtyrje 2 apo 5 vjeçare. Sot industria jonë e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë ku unë jam frekuentues i rregullt, shpresoj që ju të kuptoni që unë do të abstenoj për propozimin tuaj.
Klosi: Po shpjegoj pse në kërkesë të këtij standardi ne vendosim fundin e vitit 2026. Kjo është një politikë nxitëse, pra që kërkon që një biznes i munguar në Shqipëri të vihej në lëvizje. Në 2019 vetëm 3 kompani paraqitën interes për të vendosur këtë raport. Tani kanë aplikuar 11 kompani. Duke vendosur këto standarde u nxitën edhe 11 kompani të tjera që të marrin brande. Nuk është se deri në 2026 ka brande, jo. Deri në 2026 do përfitojnë këtë lehtësi, por edhe më pas do të vazhdojnë brandet.
Në mbledhjen që u zhvillua në komisionin e Ekonomisë gjatë javës së kaluar, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se kjo është një politikë që favorizon vetëm bizneset e mëdha dhe nuk ka asnjë përfitim për shumicën e qytetarëve. Versus.al







