POLITIKË /

‘Përjashtim nga taksat për 10 vite’, Tabaku kundër ndryshimit për tatimin e hoteleve me 5 yje: Përfitojnë një grusht kompanish

Deputetja demokrate kritikoi socialistin Klosi për mungesën e propozimeve që u sjellin përfitime shumicës së qytetarëve.

Shkruar nga Versus
‘Përjashtim nga taksat për 10 vite’, Tabaku kundër
Deputetja e PD, Jorida Tabaku

Propozimi që afati i përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet me 5 yje të shtyhet për 10 vite, ka shkaktuar debate mes ish-ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe deputetëve të PD.

Përveç debatit që pati me Edmond Spahon dhe socialistin Erion Braçe, sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi pati debat edhe me Jorida Tabakun e cila e konsideroi këtë propozim në favor të bizneset e huaja të madha, duke dëmtuar strukturat e vogla hoteliere që sipas saj kanë punësuar edhe më shumë persona.

“Këtu kaloi buxheti në muajin dhjetor dhe në momentin kur kaloi u tha se nuk do ketë asnjë ndryshim të politikave fiskale apo taksash. Por, vetëm një muaj më vonë, socialistët sjellin një nismë që shkel premtimet e veta dhe dispozitat ligjore, duke falur taksat për një grusht kompanish në prag të zgjedhjeve.

Dëgjova drejtoreshën që tha kanë krijuar 880 vende pune. Por sa është fitimi i këtyre kompanive për këto 880 vende pune, sa janë të punësuar në turizëm në hotele që nuk kanë privilegje? Sa janë të punësuar në industri të tjera. Unë zoti Klosi do kisha shpresuar që këtu të vinit me një ligj që prek shumicën e qytetarëve”- tha Tabaku.

Më tej ajo tha se në vend të këtyre propozimeve, duhen bërë propozime për ndryshime në ligj të cilët të ndikojnë për mirë në shumicën e qytetarëve dhe jo vetëm për disa biznese.  

Sipas deputetes, sistemi i taksave është i pabarabartë pasi favorizon bizneset e mëdha duke i përjashtuar nga taksa korporative dhe godet ato më të vegjlit.

“Dreqi e mori po mbyllet sesioni dhe e nisim sesionin me favore dhe privilegje për 10 apo 11 hotele. Çfarë i pengon ato hotele të vijnë në Shqipëri kur janë brande kaq të mëdha që preken nga tatimi korporativ.

Ministri i Financave tha se nuk do ketë përjashtime më, tani pas një muaji na vini ju këtu e na thoni ta shtyjmë këtë përjashtimin për tatimin korporativ për hotelet me 5 yje. Më vjen keq që nga ju vijnë në parlament propozime për bizneset e mëdha për taksat korporative. A e kuptoni se çfarë po i bëni sistemit të taksave?

Këto vite politika e taksave ka qenë shumë preferenciale. Përjashtimet kanë sjellë në këtë situatë që ndodhemi sot. Imagjino gjithë ato hotele shqiptare që gjenden pranë vijës bregdetare dhe e paguajnë këtë taksë korporative, madje duke punësuar më shumë persona”- shtoi Tabaku duke u shprehur dukshëm kundër këtyre ndryshimeve. Versus.al

Poll