
Ndërkohë që në Kuvend kishte seancë plenare për kërkesën e PD mbi shkarkimin e Niko Peleshit dhe raportimin e disa institucioneve, jashtë institucionit u mbajtën dy protesta, fillimisht ajo e pensionistëve dhe më pas ajo e naftëtarëve të Spaçit.

Protesta e pensionistëve ishte organizuar nga partia Lëvizja Bashkë e cila ka kërkuar që të miratohet edhe minimum jetik në vend. Gjatë protestës mbajti fjalën e tij edhe kryetari Arlind Qori, kandidati për bashkinë e Tiranës i cili tha se shoqëria shqiptare vuan nga padrejtësia e madhe që i bëhet. Më tej paralajmëroi se kjo e sotmja nuk do të jetë protesta e fundit.
“Sot përpara Kuvendit të Shqipërisë u mblodhëm me pensionistë dhe qytetarë të profesioneve të ndryshme për të protestuar për drejtësi shoqërore. Shqipëria mbetet vendi me pensionet më të ulëta dhe korrupsionin më të lartë në Evropë. Në vendin tonë padrejtësia prek edhe punëtorët, gjysma e të cilëve punojnë në të zezë dhe nuk gëzojnë as të drejtat minimale.
E pëson edhe shtresa e mesme që vuan nga kostot gjithnjë e më të larta të jetesës dhe degradimi i shërbimeve publike. Vuan një shoqëri e tërë që nuk vlerësohet sipas meritës dhe të drejtës. Protesta e sotme nuk ka për të qenë e fundit. Kauza e minimumit jetik, pensioneve dinjitoze dhe kostove të jetesës do të na mbledhë gjithnjë e më të shumtë e të fortë përpara institucioneve që kanë tradhtuar interesat e qytetarëve”- shkruhet në reagimin zyrtar të Lëvizjes Bashkë. Versus.al
