Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar do të bëjnë sot betimin në presidencë rreth orës 10:00 ku do të paraqiten para presidentit Bajram Begaj.Menjëherë pas kësaj procedure, Rama do të thërrasë mbledhjen e parë të qeverisë që do të drejtojë vendin për mandatin e katërt të PS.
Ndërkohë, opozita i ka bërë thirrje presidentit Bajram Begaj që të mos pranojë betimin e ministrave të rinj me argumentin se është shkelur kushtetuta gjatë seancës plenare të ditës së djeshme ku pritej të debatohej mbi programin qeverisës të PS, por në vend të kësaj seanca u mbyll brenda 25 minutave me socialistët që e votuan qeverinë me 82 vota.
Shkaku për kaosin e krijuar në seancën e djeshme, që u konsiderua një provokim nga kryeministri Edi Rama ishte momenti kur ky i fundit i kërkoi shërbimit të Kuvendit që t’ja jepnin fjalën Diellës. Ministrja virtuale mbajti fjalim në parlament ku shprehte se ishte “e lënduar’ nga fakti që deputetët e PD e kishin cilësuar antikushtetues emërimin e saj ministre. Duke qenë se makineritë e Inteligjencës Artificiale nuk kanë asnjë lloj lidhje me ndjesitë dhe kësisoj “Diella” nuk mund të ishte e lënduar, demokratët e konsideruan këtë fjalim të përgatitur nga Rama si tallje me anëtarët e Kuvendit dhe ndërkombëtarët. Versus.al







