POLITIKË /

Qytetari kërkon sqarim nga Berisha: Kam denoncuar tre efektivë policie, pse nuk më keni mbështetur?!

Gjatë foltores së mbajtur në Durrës, një qytetar iu drejtua publikisht Sali Berishës, duke kërkuar shpjegime për mungesën e reagimit ndaj një denoncimi që, sipas tij, ka bërë prej kohësh për tre efektivë policie në Mirditë.

Shkruar nga Versus
Qytetari kërkon sqarim nga Berisha: Kam denoncuar tre efektivë
Qytetari që ka bërë denoncimin

Gjatë foltores së zhvilluar këtë të diel në Durrës, një qytetar i pranishëm në takim iu drejtua kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, me një pyetje kritike lidhur me një denoncim të bërë prej tij, për të cilin tha se nuk ka marrë asnjë reagim nga strukturat e partisë.

Pas përfundimit të fjalës së Berishës, qytetari kërkoi llogari publike, duke deklaruar se prej kohësh ka informuar degën e PD-së në Mirditë dhe deputetët e qarkut Lezhë për atë që ai i cilësoi si përfshirje të tre efektivëve të Policisë së Mirditës në veprimtari kriminale, por sipas tij, nuk ka pasur asnjë reagim.

Ai bëri thirrje për hapjen e Partisë Demokratike ndaj individëve me vlera konservatore dhe theksoi se, pas denoncimeve të tij, është shpallur dy herë në kërkim. Qytetari pretendoi se tre efektivë policie në Mirditë janë të përfshirë në shkelje të rënda, duke përmendur emra konkretë dhe duke shtuar se informacionin e ka dërguar si në AMP ashtu edhe në strukturat e PD-së.

Në deklaratën e tij, ai paralajmëroi se pas kësaj daljeje publike mund të përballet me pasoja, ndërsa theksoi se nuk ka marrë asnjë përgjigje institucionale për denoncimet e bëra.

 “Hapeni Partinë Demokratike me njerëz që kanë vlera konservatore. Keni sa të doni njerëz që janë konservatorë, që duan atdheun, familjen dhe kombin. Do të bëj një denoncim që kam dashur ta bëj në Mirditë. Do t’ju kërkoj ndjesë të gjithëve. I kam thënë PD-së, dega Mirditë, dhe deputetëve të qarkut Lezhë; asnjë nuk ka reaguar. Kanë tre kriminelë në komisariatin e policisë Mirditë. Nga ky denoncim jam shpallur dy herë në kërkim. Mbase pas kësaj foltoreje ose policinë do ta kem te shtëpia, ose breshëri plumbash nga shefat e tyre. Arben Marku ka dhunuar në mënyrë sistematike minatorët e Spaçit, askush nuk ka denoncuar asnjë. Preng Kaçorri, falsifikator dhe dekonspirues, dhe Llesh Manreja, që është bashkëpunëtor. Ia kam çuar AMP-së dhe PD-së, nuk kanë reaguar”- u shpreh qytetari./Versus.al

Poll