‘Plug and Play’, platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, ka hapur qendrën në Tiranë, që synon të mbledhë jo vetëm talentet e vendit tonë, por edhe ata të Ballkanit. I pranishëm në eventin për hapjen e këtij programi, kryeministri Edi Rama tha se kjo platformë globale ka nxjerrë kolosë të teknologjisë dixhitale.
Kryeministri u ndal edhe në projekte të tjera me fokus teknologjinë që kanë marrë jetë në vendin tonë, ndërsa tha se brenda një periudhe dy vjeçare të gjitha shkollat në vend do të jenë të pajisura me laboratorë smart.
“Është gur shumë i rëndë kilometrik në rrugën e transformimit rrënjësisht të Shqipërisë dhe në të përpjetën që kemi akoma për t’u ngjitur në majën e 2030. Ishim në hapjen e derës së Institutit të Teknologjisë së Rochester po në Tiranë, një ditë më parë ishim në hapjen e derës së qendrës së trajnimit për prodhimet audiovizuale, po bëhet gati të hapë dyert shkolla 42, qendra Tumo që mirëpret shumë fëmijë dhe përfitoj nga rasti ta përsëris që është në gjendje të mirëpresë akoma më shumë, po përgatisim dhe do japim jetë Vlora Tech Space në Vlorë, Tumo do degëzohet edhe në Shkodër, Elbasan e me radhë. Në të gjitha shkollat brenda 2 vitesh do kemi laboratorët smart, ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim. Fazën e parë e kemi përmbyllur me AADF”, theksoi Rama.
Ky program është mundësuar nga nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) e Bashkia e Tiranës. E pikërisht për këtë arsye, Rama e pati një ironi me opozitën duke thënë se qeveria dhe AADF janë grupi kriminal që grabitën Parkun e Butrintit.
"Qeveria dhe AADF janë pesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit, po të shihni në internet Parkun Arkeologjik, mos u nisni atje se s’ka gjë, gjithçka është marrë dhe është çuar diku dhe falë këtij fakti kemi përfituar shumë para që s’dimë ku ti çojmë dhe i hedhim kot për këto lodrat Plag and Play. Na kanë vënë pas një kanarinë që na këndon sa herë në sheh", vijoi Rama.







