POLITIKË /

Rusia reagon për herë të parë ndaj akuzave të Tiranës se ka financuar protestat kundër qeverisë

Përmes një deklarate publike, ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, duke iu referuar deklaratave të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i quan këto akuza të pabaza.

Shkruar nga Versus

Rusia reagon për herë të parë ndaj akuzave të

Rusia ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave se ajo është ndër aktorët që ka nxitur protestat e zhvilluara prej 1 muaji në Tiranë.

Përmes një deklarate publike, ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, duke iu referuar konkretisht,  deklaratave të Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i quan këto akuza të pabaza.

Sipas Ambasadës, Rusia ndjek në mënyrë rigoroze parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, duke respektuar zgjedhjet e popujve dhe duke bashkëpunuar me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.

“Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Ambasada shprehet se nuk është hera e parë që politikanë shqiptarë, sipas saj, përpiqen t’i atribuojnë Rusisë një “ndikim dashakeq” në zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë.

“Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit ‘ndikim dashakeq’ të Rusisë. Ne bëjmë thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla dhe për t’u përmbajtur nga kërkimi i armiqve aty ku ata nuk ekzistojnë”, përfundon reagimi i Ambasadës Ruse.

Poll