
Mësuesit, mjekët dhe policët janë 3 kategoritë ku duhet të përqendrohet shteti sa i takon qëllimit për anëtarësim në Bashkimin Europian, Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar sot mbi sigurinë në shkolla.
Ai tha se synimi është që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, ndërsa theksoi se situata aktuale e shollave është shumë më e mirë se ajo e 10 viteve më parë, duke nisur që nga pagat e mësuesve tek siguria e nxënësve.
“Synimi ynë është që Shqipëria 2030 të jetë kampione në rajon në të gjitha aspektet duke pasur këtu punonjës publikë sa më të devotshëm, ndër ta tre figura qendrore ku, mësuesi, mjeku, polici. Shumë herë njerëzit thonë ne i kemi të gjitha këto pasuritë natyrore por pse nuk jemi Zvicra? Sepse për një kohë shumë të madhe, kemi mbetur prapa në dije. Është dija që i jep mundësi një vend të transformohet dhe të bëhet gjithmonë e më i mirë për njerëzit e vetë.
1 dekadë më parë, mësuesit merreshin e hidheshin si lecka. Nuk mund të krahasohet situata e sotme me gjithë problemet që ka. Por këto kanë nevojë për kornizën e sigurisë. Kur vijmë te siguria, sot Shqipëria, nëse jemi në kushtet kur vjet kemi pritur 10 mln vizitorë nga jashtë dhe sot që flasim kur ka akoma muaj nga përfundimi i vitit, kemi arritur në 11 milionë, siguria është elementi kryesor. Sot oficerët e sigurisë në shkolla paguhen 800 euro por nuk ndalemi këtu”- u shpreh kryeministri.
Ai theksoi edhe sfidat me të cilat përballen mësuesit dhe prindërit sot me një botë që gjithmonë e më shumë evoluon dhe telefonët janë kthyer në një rrezik që kërcënon edukimin e fëmijëve.
"Duke shfrytëzuar personazhe që janë pjesë e pandarë e një shoqërie në të gjithë botën, personazhe nga jeta e brendshme e policisë së shtetit, vetvetiu krijohet ideja se këtu kemi të bëjmë me histori krejtësisht tjetër nga ajo që njeriu jeton çdo ditë. Nëse një mësuese shfaqet në një video duke dhunuar një nxënës, ndërsa diku tjetër shfaqet duke bërë një veprim të shëmtuar, janë gjëra të cilat sinjalizojnë për t’u motivuar dhe për t’u përmirësuar më tutje. Janë momente lehtësimi që një ferrë u hoq nga baçja. Këto kthehen në momente ku fillon batërdia e ndotjes ku thuhet se ja sesi bëjnë të gjithë mësuesit, kjo për të projektuar idenë se ata që qeverisin janë në krye të një ushtrie me banditë dhunues etj. Atëherë patjetër që edhe mjedisi i shkollës rëndohet nga kjo situatë. Kësaj nuk kemi çfarë i bëjmë, sidomos në një kohë kur duhet të mbrojmë veten dhe fëmijët nga ato ekranet e smartfoneve ku hyn llumi i lloj lloj imazheve dhe informacioneve të paverifikuara, lloj lloj shpifjeve dhe manipulimeve. Është sfidë shumë e madhe që ka vetëm një mënyrë për t’ju përgjigjur, duke u përpjekur të gjithë që t’i bëjmë gjërat edhe më mirë”- shtoi Rama.
240 punonjës policie do të angazhohen në të gjithë vendin për sigurinë në shkollë për të garantuar ambient sa më të sigurt. Versus.al







