POLITIKË /

‘Shteti Bektashi’/ Rama nga SHBA: "Po dëgjoj çudira...? Janë si komunitet jetim, por pasuri kombëtare!"

Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë, Rama tha se gjatë këtyre ditëve ka dëgjuar shumë çudira, ndërsa Urdhrin e Bektashinjve e cilësoi një pasuri kombëtare.

Shkruar nga Versus

‘Shteti Bektashi’/  Rama nga SHBA: "Po dëgjoj

SHBA- Në kulmin e debateve rreth krijimit të Shtetit Bektashi, kryeministri Edi Rama ju përgjigj kritikëve nga Shtetat e Bashkuara të Amerikës, ku vijon të qëndrojë prej disa ditësh. Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë, Rama tha se gjatë këtyre ditëve ka dëgjuar shumë çudira, ndërsa Urdhrin e Bektashinjve e cilësoi një pasuri kombëtare.

“Ajo që mund t’iu them është se prej kaq shumë vitesh sa unë jam në këtë vorbull publike, jam mësuar që kur them diçka të re ose kur flas për një projekt të ri, dëgjoj shumë çudira, po si këtë herë, asnjëherë. Këtë herë kam dëgjuar dhe kam lexuar çudira të jashtëzakonshme, por gjëja që më ka habitur më shumë është që çfarë padije e jashtëzakonshme ekziston për Urdhrin e Bektashinjve. Unë shumë miqësisht do ju sugjeroja të gjithëve që të lexojnë dhe të informohen për Urdhrin e Bektashinjve. Çfarë përfaqëson në historinë e kombit tonë, çfarë roli ka pasur në fatet e kombit tonë dhe çfarë pasuri e madhe është për kombin tonë. Unë personalisht janë katolik, nuk janë mysliman, kam pas fatin që ta kem gruan myslimane, gjysmën më të mirë, kuptohet. Dy kalamaj i kemi ortodoks, sepse kështu i kemi pas ndërmarrjet e përbashkëta në të kaluarën. Në ndërmarrjen tonë të përbashkët kemi një çun, 10 vjeç do ta vendosi vet. Mund të thotë do bëhem budist, është në të drejtën e vet. Kështu që në këtë aspekt, të më thuash mua shtet islamik, po flet me një pjellë të imagjinatës, por jo me mua, e para”, tha Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar të gjithë ata që kanë dalë kundër kësaj ideje, duhet të informohen se çfarë roli ka pasur Urdhri i Bektashinjve në fatet e kombit tonë.

"E dyta, thënë kjo për çfarë përfaqëson Urdhri i Bektashinjve në historinë tonë si pasuri historike e kulturore patjetër që ky është një nga katër komunitetet. Janë edhe tre komunitete të tjera. Është komuniteti mysliman, është komuniteti i krishterë ortodoks dhe është komuniteti katolik. Tani çfarë i bashkon këto të treja dhe i ndan, po ta shikosh? Këto të treja janë pjesë e tre komuniteteve shumë të mëdha të shtrira në të gjithë dynjanë, ndërkohë ky tjetri është një “komunitet si jetim”, sepse është një komunitet që e ka qendrën e vet botërore në Shqipëri dhe këtë as e kam bërë unë. Atëherë këto të tre të tjerë kanë jetën e tyre, kanë hapësirën e tyre shumë të madhe, kanë rrugën e tyre të sigurt sepse kanë mundësinë të marrin mbështetjen nga të katër anët, siç e kanë marrë dhe siç e marrin dhe siç do e marrin dhe e kanë të ardhmen e garantuar apo jo.

Ky tjetri është një komunitet, është një urdhër që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët, për shkak se kaq fuqi kanë. Tani, kemi ne interes kombëtar që ta ruajmë këtë pasuri, apo t'i lëmë fatit edhe po ju them unë, për pak dekada do të ketë njerëz të zakonshëm që do t’i përkasin për shkaqe historike, por nuk do të ketë më një sistem me të gjitha figurat që duhet të ketë në çdo vend etj. Nuk do të ketë më sepse fuqia dhe mundësia për ta prodhuar brezin tjetër e brezin tjetër nuk është. Të tjerët i shkollojnë imamët, i shkollojnë priftërinjtë në plot vende të botës, nuk ka asnjë problem. Janë gjithmonë e më të shkolluar, ikin atje, shkollohen, vijnë e vazhdojnë. Po ne? Ku do t’i shkollojmë? Si do t’i garantojmë vazhdimësinë e mbi të gjitha çfarë do të thotë që të krijohet një entitet sovran? Do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në një nivel maksimal dhe të ketë një rrezatim përtej atij perimetri të pronës së vet sepse janë në pronën e tyre ata, aty është prona e tyre, i kanë pasur denbabaden, ua mori komunizmi siç ua mori të gjithëve dhe e kanë prapë ata. Ky është në status si një përfaqësi diplomatike. Çfarë do të ndodhë tani? Shtet islamik brenda një shteti islamik? Çfarë janë këto muhabete kështu?" - tha mes të tjerave Rama 

Ideja për krijimin e një ‘Vatikani’ për Bektashinjtë në zemër të Tiranës u bë publike pak ditë më parë në një intervistë të kryeministrit Edi Rama për New York Times. Nëse merr aprovim nga parlamenti, ky minishtet do të ketë sipërfaqe te pakten 11 hektarë (pra vetëm mbi prona që është toka e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane) kufijtë e vetë, pasaportën e tij dhe shërbimin e vetë sekret.

Rreth 116 mijë shtetas shqiptarë u deklaruan bektashinj sipas censusit të fundit të popullsisë. Ata janë një rrymë brenda myslimanizmit, të quajtur sufi shiit të themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, por tani me qendër në Shqipëri. 

Poll