Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu ka kërkuar një interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu lidhur me skandalin e zbuluar ditën e djeshme në skandalin e Onkologjikut në QSUT ku të sëmurët me kancer nuk trajtoheshin dhe kaloheshin tek klinikat private, ndërsa pajisja për trajtimin e sëmundjeve malinje nuk ishte vënë në punë.
Agalliu thotë në kërkesën e tij se është e domosdoshme të bëhet transparencë pse nuk funksionoi sistemi i mbrojtjes së pacientëve.
Dy mjekët Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri (Pere) së bashku me nëndrejtoreshën Brikena Qirjazi u vunë nën hetim nga SPAK pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos u dhënë shërbim qytetarëve dhe duke i drejtuar ata tek klinika private dhe farmaci me barna që ishin futur kontrabandë në vendin tonë. Kordinatori i spitalit të Onkologjikut, Emiljano Lela luante rolin e “sekserit” duke gjetur pacientë të sëmurë që i çonte tek klinika “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, ku ishte e punësuar edhe doktoresha Alketa Ymeri (Pere). Dosja e përgjimeve zbulon megaskandalin ku mësohet se as pajisja për trajtimin e kancerit nuk ishte vënë në punë edhe pse ishte sjellë në vitin 2021. Ministrja Albana Koçiu reagoi pas skandalit duke shkarkuar menjëherë nga detyra, mjekët përgjegjës dhe zv.drejtoreshën. Versus.al







