Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë komunikimit të sotëm në rrjete sociale bëri me dije gjithashtu se kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, përpara samitit të Komunitetit Politik Evropian që do mbahet më 16 maj në Tiranë.
Ai tha se para se PS të merrte pushtetin, nuk ka pasur vizita të tilla në vend duke e fokusuar retorikën tek pozicioni i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
"Të shohësh vizitat që bëhen sa e sa krerë shtetesh kanë ardhur për herë të parë. Pas një muaji do të vijë në vizitën e parë zyrtare, e ka kërkuar të vijë përpara samitit kryeministri britanik. Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare, ka ardhur vetëm njëherë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale. Hera e parë që vjen një kryeministër britanik. Hera e parë që një president i Francës, do të vijë përsëri dhe ka pasur plot të tjerë që kanë ardhur për herë të parë." tha Rama.
Sa i takon pyetjes sesa deputetë do të marrë, Rama solli në vëmendje Memorandumin e Kuçit dhe tha se mund të marrin më shumë se 77 deputetë.
"Do të fitosh 77 deputetë? Nuk e dimë, mund të jenë edhe më shumë. Do ta shkruaj atje te lokali në Kuç ku herën e kaluar kam lënë rezultatin. Do të shkoj prapë dhe do të shkruaj rezultatin më 11 Maj. I keni parë çdo natë celulat e PS. Ne punojmë ditë natë, jemi me njerëzit, komunikojmë."- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al








