POLITIKË /

Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para ministrave dhe deputetëve

Dokumenti u prezantua përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar dhe përmban një sërë mekanizmash të rinj, të cilët, sipas qeverisë, synojnë ta bëjnë vendimmarrjen më transparente, të bazuar në evidenca dhe më të kuptueshme për publikun

Shkruar nga Versus

Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para

Zbardhet dokumenti strategjik “BESA – Me Besën nis Rilindja 2.0”, një platformë që synon të ndryshojë mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe administratës publike, duke vendosur në qendër transparencën, llogaridhënien dhe vendimmarrjen e bazuar në evidenca.

Dokumenti u prezantua përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar dhe përmban një sërë mekanizmash të rinj, të cilët, sipas qeverisë, synojnë ta bëjnë vendimmarrjen më transparente, të bazuar në evidenca dhe më të kuptueshme për publikun.

Reflektimi pas protestës për Vjosë-Nartën

Një nga çështjet kryesore të trajtuara në dokument është projekti i Vjosë-Nartës, i cili përzgjidhet si rasti i parë ku do të testohet modeli i ri i vendimmarrjes.

Sipas dokumentit, qëllimi nuk është të parapërcaktohet nëse projekti duhet të vazhdojë apo të ndalet, por të provohet nëse një proces i plotë konsultimi, transparence dhe vendimmarrjeje të bazuar në prova mund të prodhojë një rezultat më të besueshëm.

Për këtë arsye, brenda 90 ditëve do të zhvillohen dëgjesa me banorët, peshkatarët, bizneset, studentët, shkencëtarët dhe grupet e interesit. Paralelisht do të hartohet një dosje me të gjitha evidencat dhe dokumentacionin e lejueshëm, i cili do të bëhet publik.

Në përfundim të procesit do të merret një vendim i argumentuar, ku alternativat mbeten të hapura: vazhdimi i projektit, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi i tij, në varësi të provave dhe kuadrit ligjor.

Në dokument, Vjosë-Narta cilësohet edhe si një “test i dyfishtë”: jo vetëm për të provuar metodën e re të qeverisjes, por edhe për të treguar se një projekt me ndikim mjedisor mund të trajtohet përmes një procesi transparent dhe në përputhje me standardet europiane.

Ndryshimi i kulturës së administratës publike

Një kapitull i veçantë i dokumentit i kushtohet reformimit të administratës publike. Strategjia argumenton se Shqipëria ka kaluar fazën kur qytetarët kërkonin vetëm investime të reja, ndërsa sot po aq rëndësi kanë mirëmbajtja e infrastrukturës, pastërtia e hapësirave publike, cilësia e shërbimeve dhe mënyra se si institucionet u përgjigjen qytetarëve.

Për këtë arsye propozohet krijimi i "Indeksit të Kujdesit", i cili fillimisht do të matë gjendjen e shkollave, rrugëve dhe hapësirave publike.

Dokumenti thekson se qytetarët nuk e ndajnë më investimin nga mënyra se si ai administrohet dhe mirëmbahet.

“Një investim fiton vlerë vetëm kur shoqërohet nga kujdesi”, thuhet në strategji.

Integrimi në Bashkimin Europian

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet procesit të integrimit europian.

Në kapitullin “Besa dhe Europa”, argumentohet se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Europian, ku nuk mjafton më vetëm miratimi i ligjeve apo përmbushja formale e kritereve.

Sipas dokumentit, tashmë kërkohen prova konkrete se institucionet funksionojnë dhe standardet europiane zbatohen realisht.

“Qytetari shqiptar dhe Bashkimi Europian kërkojnë, secili nga këndvështrimi i vet, të njëjtën gjë: jo vetëm zotime, por funksionim të provueshëm”, thuhet në dokument.

Strategjia argumenton se mekanizmat e propozuar nga metoda “BESA”, si konsultimi i dokumentuar, vendimmarrja mbi baza faktesh, shpjegimi publik, matja e rezultateve, administrimi i rrezikut dhe mësimi institucional, synojnë të krijojnë pikërisht këtë provë.

Dokumenti paralajmëron gjithashtu se mbyllja e kapitujve të negociatave nuk duhet të ngatërrohet me përfundimin e reformave.

“Një kapitull mund të mbyllet me ligje të përafruara, ndërsa qytetari ende të mos e përjetojë standardin europian në jetën e përditshme.”

Për këtë arsye propozohet që pas mbylljes së çdo kapitulli të negociatave qeveria t’i shtrojë vetes pyetjen: “Çfarë duhet të jetë e vërtetë në ditën e anëtarësimit?”

Sipas dokumentit, anëtarësimi në BE nuk duhet të matet vetëm me raportet e Brukselit, por me përvojën reale të qytetarëve në marrëdhënien e tyre me shtetin.

“Memorandumi Shpjegues”, standardi i ri i transparencës

Një tjetër risi e rëndësishme e dokumentit është krijimi i “Memorandumit Shpjegues”, i cili synon të vendosë një standard të ri në komunikimin e qeverisë me qytetarët.

Sipas strategjisë, çdo politikë publike, reformë apo vendim me ndikim të gjerë nuk do të publikohet vetëm si një akt administrativ, por do të shoqërohet me një dokument shpjegues të hartuar në gjuhë të qartë dhe të kuptueshme.

Ky memorandum duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve thelbësore:

cili është problemi që synohet të zgjidhet;

cilat alternativa janë shqyrtuar;

pse është zgjedhur një zgjidhje e caktuar;

çfarë ndikimi pritet të ketë vendimi;

cilat janë kostot dhe përfitimet;

cilat janë rreziqet e mundshme;

si do të matet suksesi i politikës së ndërmarrë.

Dokumenti argumenton se transparenca nuk duhet të kufizohet vetëm te publikimi i vendimeve në Fletoren Zyrtare apo në faqet institucionale, por duhet të shoqërohet me arsyetimin e plotë të procesit të vendimmarrjes.

Në tekst theksohet se qytetarët nuk kërkojnë vetëm të dinë se çfarë ka vendosur qeveria, por edhe pse është marrë ai vendim dhe mbi cilat prova është mbështetur.

“Memorandumi Shpjegues” është një nga shtatë mekanizmat që përbëjnë metodën e re të qeverisjes të propozuar në dokumentin “BESA”. Sipas strategjisë, ai synon të krijojë një kulturë të re komunikimi institucional, ku vendimmarrja të jetë më e kuptueshme, më e argumentuar dhe e verifikueshme nga publiku.

“Rilindja 2.0”

Përmes dokumentit “BESA – Me Besën nis Rilindja 2.0”, qeveria synon të vendosë një model të ri qeverisjeje të bazuar në transparencë, konsultim publik, llogaridhënie dhe vendimmarrje mbi evidenca.

Strategjia parashikon që besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të ndërtohet jo vetëm mbi rezultatet e qeverisjes, por edhe mbi mënyrën se si merren, argumentohen dhe komunikohen vendimet publike, ndërsa çështja e Vjosë-Nartës do të jetë testi i parë praktik i kësaj metode të re./Versus.al

Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para   Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para Strategjia “BESA”, zbardhet dokumenti që prezantoi Rama para   

Poll