Takimi kokë më kokë mes Benet Becit, drejtuesit politik të Partisë Socialiste për qarkun Shkodër, dhe kryeministrit Edi Rama ka zgjatur rreth 40 minuta. Pas përfundimit të bisedës me Becin, Rama po zhvillon një tjetër takim në vilën qeveritare nr. 30, kësaj here me Bledi Çuçin, i cili mban postin e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së dhe është gjithashtu përgjegjës politik për qarkun e Vlorës.
Burime të brendshme bëjnë të ditur se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë ende nuk është mbyllur dhe se është vetë kryeministri ai që do të vendosë përfundimisht, si për përfshirjen e tyre në lista, ashtu edhe për renditjen në lista të hapura ose të mbyllura.
Në qarkun e Vlorës, ndër emrat që përmenden si kandidatë të mundshëm janë:
• Bledi Çuçi, i cili pritet të jetë një nga emrat kryesorë në këtë qark;
• Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes, që këtë herë është angazhuar në fushatën e Vlorës dhe pritet të jetë pjesë e listës së mbyllur;
• Anila Denaj, ministre që mbulon zonën e Sarandës;
• Deputeti Vullnet Sinaj, i cili megjithëse kishte lënë të kuptohej më parë se nuk do të kandidonte sërish, mund të jetë përsëri në listë;
• Plator Nesturi, prefekti i ri i qarkut të Vlorës;
• Emri i Ardi Bidos përmendet gjithashtu si një kandidat i mundshëm.
Ndërkaq, në qarkun e Gjirokastrës, emrat që qarkullojnë si kandidatë janë:
• Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e këtij qarku;
• Tërmet Peçi, kryebashkiaku i Tepelenës. /Versus.al/







