
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku në mbledhjen e komitetit të emergjencave foli për situatën në vend pas reshjeve të dendura të shiut duke nisur nga gjendja në HEC-e e deri tek qarkullimi rrugor.
Ndërsa nënvizoi se në disa rrugë ka patur rënie inertesh, Balluku tha se të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme.
“Akset rrugore janë të gjitha funksionale. I referohem akseve kombëtare, jemi në dijeni se ka patur problematika në akse rurale që mirëmbahen nga bashkitë. Kryesisht ka patur inerte që kanë zbritur nga skarpatet e maleve madje edhe në rrugë të konsoliduara prej vitesh siç është aksi nga Gjirokastra në Tepelenë. Fakti që kemi patur shumë zjarre, fakti që ka mungesë bimësie në zonën e jugut e ka bërë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve, megjithatë i gjithë territori është i aksesueshëm”- tha Balluku.
Ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të rrisin kujdesin dhe të përdorin goma dimërore ose zinxhirë për të qarkulluar në akse me prezencë ngricash.
“Do përfitoja nga rasti të bëja një thirrje duke qenë se temperaturat janë ulur ndjeshëm orët e fundit. Kërkohet që të gjithë drejtuesit e automjeteve të cilët aksesojnë zona ku ka prezencë ngrice apo dëbore duhet të përdorin gomat e dimrit ose zinxhirët sipas rastit dhe kërkesës. Është e domosdoshme pasi vërejmë se nuk ka sensibilizim përsa i përket përdorimit të gomave të dimrit”- shtoi zv.kryeministrja. Versus.al

