Partitë e reja opozitare “Nisma Thurje” dhe “Lëvizja Shqipëria Bëhet” kanë zyrtarizuar sot koalicionin parazgjedhor për 11 majin ku do të garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë.
Në mënyrë demonstrative kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani grisi një poster që kryeministri Edi Rama e përdori në zgjedhjet e kaluara lokale me figurën e Berishës dhe Metës.
“Në zgjedhjet e kaluara ai fitoi me këtë poster. Mesazhin e kishte gati. Ky nuk do i hyjë më në punë, e ka mesazhin gati. Le ta provojë me këtë dhe ta shohim a do i votojnë shqiptarët kur të shohin se kush është mbrapa dhe kush i çon përpara”- u shpreh Shabani.

Ndërsa kreu i “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj tha se nuk do të ketë bashkëpunim me partitë e vjetra politike ndërsa ftoi edhe parti të tjera opozitare që t’u bashkohen për koalicionin parazgjedhor që do të quhet “Nisma Shqipëria Bëhet”.
“Ne sot në mënyrë modeste po paraqesim alternativën tonë për t’i dhënë vendit një model të r inga ky që ka qenë deri më sot. Kemi thënë se nuk do ketë bashkëpunim me subjekte që kanë përfaqësuar rrënimin e Shqipërisë dhe po e mbajmë fjalën. Po negociojmë ende dhe besoj deri në mbyllje të afatit koalicionit do i shtohen edhe subjekte të tjera. Koalicioni do quhet “Nisma Shqipëria Bëhet”. Koncepti që duam të sjellim është koncepti i një atdheu që është mbi subjektet politike.
Në këtë drejtim nënshkruaj këtë marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Thurje dhe me subjektin Lidhja për Punëtorët Shqiptarë dhe uroj që në këto 48 orë që kanë mbetur të shtohen edhe subjekte të tjera”- deklaroi Lapaj.
Afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është 7 marsi, ndërsa më 12 mars përfundon afati për dërgimin e listave të kandidatëve për deputetë. Versus.al







