
Duke iu referuar lajmeve të publikuara për boshatisjen e plazheve në jug të vendit për shkak të çmimeve të larta, kryeministri Edi Rama pretendoi se po bëhet një sulm i organizuar për të dëmtuar bregdetin shqiptar.
Ai tha se për këtë ka folur edhe me kryebashkiakët e bashkive të vijave bregdetare. Ndërsa tha se po kryehen hetimet për profilet fallco të cilat shpërndajnë informacione të gabuara. Sipas tij, numri i turistëve ka pësuar një rritje prej 86%.
“Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar bregdetin shqiptar. Kam folur me kryetarët e bashkive bregdetare, të gjithë janë të habitur dhe skandalizuar nga video dhe komente të rreme të manipuluara me qëllim që duan të thonë se këtu nuk ka ardhur njeri.
Faktet janë në terren dhe nuk është shqetësimi ynë kryesor të merremi me këtë sulm të organizuar. Por sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këto profile fallco që po përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra anë e medaljes që vlen për të kuptuar se ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës, erdhi përmes sfidave që janë gjithmonë e më komplekse. Sivjet para pak ditësh KE i udhëtimeve nxorri një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të turistëve"- u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se pavarësisht lajmeve të shpërndara se shqiptarët e Kosovës kanë braktisur vendin dhe nuk bëjnë më pushimet këtu, shifrat tregojnë të kundërtën.
“Pjesë e këtij sulmi është edhe ideja se shqiptarët e Kosovës kanë brtaktisur Shqipërinë por fakti është se nga janari në qershor ka 1.7 mln hyrje nga shqiptarët e Kosovës. Italianët deri në qershor vjet kanë qenë 456 mijë. Ka rritje të fortë të turistëve turq”- tha Rama ndër të tjera. Versus.al







