Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Lezhë, Kryeministri Edi Rama përsëriti rëndësinë e rolit të grave në shoqëri dhe në politikë, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe me doza ironie për të përcjellë mesazhin e tij.
“Unë pa gruan time jam si ndërtim pa leje,” deklaroi Rama, duke theksuar se marrëdhëniet e shëndetshme familjare dhe respekti për gratë janë thelbësore për një shoqëri të zhvilluar. Ai shtoi se burrat që nuk pranojnë të dëgjojnë gratë, sipas tij, mbeten “çyrykë”.
“Kush s’e pranon se është ‘çyryk’ dhe nuk dëgjon gruan, le të mbetet ‘çyryk’, çfarë të themi,” tha ai, duke marrë duartrokitje nga të pranishmet në sallë.
Në vijim, Rama theksoi rëndësinë e mbështetjes ndaj Partisë Socialiste dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre burrave që vlerësojnë dhe dëgjojnë gratë, të votojnë për PS, duke e konsideruar opozitën si “kënetë”, një term që e ka përdorur shpesh për të përshkruar kundërshtarët politikë./Versus.al/








