
Opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, ka shkaktuar debate gjatë seancës së sotme plenare. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga Spiropali që të kalonte për votim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për deputeten socialiste.
Duke marrë si argument në favor përgjigjen e Komisionit të Venecias, Bardhi tha se në opinion thuhej qartë se deputetët do duhej ta kishin votuar vendimin e Kushtetueses.
“Nxorrën lajme të rreme në një television që është kthyer në një turp kombëtar. Vetëm kur mediat e pavarura morën në dorë këtë opinion, u detyruan të ndryshonin lajmin e rremë që ju kishit shpërndarë. Nuk ka rëndësi cfarë themi ne, por ajo çfarë thotë Gjykata Kushtetuese. Këshilla që ju ka dhënë është: zbatoni vendimet e gjykatës Kushtetuese. Nuk varet nga halli juaj personal. Nuk mund të nisesh nga halli jot për të zgjidhur hallin e Xhaçkës”- tha Bardhi.
Nga ana tjetër, socialistët kishin një tjetër interpretim të opinionit, duke theksuar faktin e nënvizuar se deputetët nuk mund të detyroheshin të votonin në një mënyrë të caktuar.
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin ,Taulant Balla tha se nuk mundet që çdo gjë që dëshiron gjykata të miratohet nga parlamenti dhe se për këtë arsye Shqipëria është ‘Republikë parlamentare’ e jo ‘qeveri gjyqtarësh’.
“Deputeti nuk mund të detyrohet të votojë një vendim në një formë apo në një tjetër. Nëse nuk do i kisha sytë e mbyllur nga politika siç i keni ju, do vija këtu dhe të thoja: ky është një vendim që respekton parimin e ndarjes së pushteteve. Ju thoni se një ditë të bukur të çohet gjykata dhe t’i thotë Kuvendit se nuk duhet të votojë më ligje se kështu thotë gjykata.
Ju ja keni marrë dorën se çdo humbje e konsideroni fitore. Në raste të tilla, fitore si kjo ju korrshit sa herë të keni mundësi. Pyetjet që i kanë shkuar komisionit ndoshta nuk i keni lexuar. Lexojini edhe ato dhe më pas i bëni derman edhe Asllanit se tashi u bëmë si teatër kukullash këtu. Kalojmë tek çështja tjetër tashmë se këtë e humbët”- tha Balla. Versus.al








