Çfarë do të gjeni në brendësi
*Komisioni i Venecias publikoi sot opinionin lidhur me çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, për të cilën Gjykata Kushtetuese kishte dy vendime ku u kërkonte deputetëve të Kuvendit të votonin dërgimin e çështjes në Kushtetuese. *Përgjigjia e përmbledhur e komisionit ishte se deputetët duhej të kishin votuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por ndër rreshta theksohej se ata nuk janë të detyruar ligjërisht për ta bërë një gjë të tillë. *Menjëherë pas publikimit të dokumentit, reagoi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili e konsideroi këtë si “shuplakën më të madhe ndaj qeverisë”. *Nga ana tjetër, socialistja Bushka tha se Komisioni i Venecias konfirmoi shqetësimet e PS dhe se vërtetoi që deputetët nuk janë të detyruar të votojnë në një mënyrë të caktuar.
PS pas përgjigjies së ‘Venecias’ për Xhaçkën: U konfirmua se Kushtetuesja s’mund të na diktojë votën
Deputetja socialiste Klotilda Bushka ka dalë në një deklaratë për mediat pas publikimit të opinionit të Venecias lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Bushka tha se opinioni i komisionit të Venecias, konfirmon shqetësimin e mazhorancës dhe thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të detyrojë deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar.
"Shpreh konsideratën më të lartë për anëtarët e komisionit të Venecias të cilët e trajtuan në një kohë rekord këtë çështje
Komisioni i Venecias shprehet qartë se nuk është i detyruar të votojë për një çështje të caktuar. Konstatohet se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas dëshirës së tyre, është konfirmuar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese. Ky komision shpreh mendimin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën”- deklaroi Bushka.
Më herët në një reagim të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi thuhej se kjo përgjigjie e komisionit është goditje e fortë për qeverinë. Versus.al
Përgjigjia e komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Shuplaka më e madhe për qeverinë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka përshëndetur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e dërgimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në reagimin e bërë, ku ka bashkangjitur edhe disa prej paragrafëve nga përgjigjia e Venecias, Bardhi shkruan se opinioni konfirmon pretendimet e opozitës dhe se kjo është një “shuplakë” për mazhorancën.
Reagimi i plotë:
Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.
Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.
Qëndrimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese:
Paragrafi 20:
Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi u detyrua të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret.
Paragrafi 22:
Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Paragrafi 57:
Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Lajmi në përditësim...
‘Venecia’ i jep fund ‘sagës’ së Xhaçkës: Kuvendi duhej ta çonte në Kushtetuese, por deputetët s’mund të detyrohen
Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin zyrtar lidhur me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në përgjigjen e dhënë thuhet se deputetët e Kuvendit duhej të kishin votuar pro vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkonte që mandati i Xhaçkës t’i kalonte për shqyrtim, por theksoi se deputetët nuk mund të detyrohen për një gjë të tillë.
“Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo edhe për mundësinë për ta referuar çështjen në Kushtetuese. Pra, Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje që janë në kompetencën e tij”- thuhet ndër të tjera në opinionin e Venecias.
Çështja e mandatit të Xhaçkës është shndërruar në temë kryesore debati mes mazhorancës dhe opozitës prej më shumë se një viti. Opozita pretendon se Olta Xhaçka ndodhet në kushtet e shkeljes së ligjit dhe të papajtueshmërisë së mandatit, pasi qeveria i dha bashkëshortit të saj Artan Gaçi statusin e “investitorit strategjik”.
Vetëm brenda këtij viti, socialistët kanë rrëzuar me shumicë votash në Kuvend dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Paçka se Kushtetuesja kërkonte që çështja t’i dërgohej për shqyrtim, herën e parë socialistët votuan me shumicë kundër, ndërsa herën e dytë abstenuan dhe vendosën që t’i drejtoheshin komisionit të Venecias për opinion. Versus.al








