POLITIKË /

VIDEO/ Mazhoranca miraton e vetme projektigjet, Rama lë Kuvendin. Deputetët e PD-së e gjuajnë sërish me sende

Pavarësisht situatës së krijuar, mazhoranca vijoi procedurat parlamentare dhe procesin e votimit të projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Mazhoranca miraton e vetme projektigjet, Rama lë Kuvendin.

Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar u mbyll me tensione të forta në Kuvend, përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe bojkotin e deputetëve të Partisë Demokratike.

Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar zhvillimin e punimeve, ndërsa mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime. Në total, u miratuan me procedurë të përshpejtuar 31 çështje, mes tyre rezoluta për raportimet e institucioneve të pavarura, projektligje, amendamente dhe emërime në komisione të prokurimit.

Një prej pikave kryesore të votuara ishte edhe raporti për Reformën Territoriale, i cili u miratua me 84 vota pro, vetëm nga deputetët e mazhorancës. Opozita kishte kërkuar shtyrjen me tre muaj të afatit të Komisionit të Posaçëm, por kërkesa u rrëzua nga shumica.

Tensionet nisën që në fillim të seancës, ku deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, tentoi të hidhte ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Ndërhyrja e Gardës shmangu përplasjen, ndërsa Bardhi u përjashtua më pas nga punimet e seancës.

Situata u përshkallëzua sërish në përfundim të votimeve, kur teksa kryeministri Rama po largohej nga salla, deputetë të opozitës hodhën drejt tij dosje, fleta dhe kartonë votimi. Objekte u hodhën edhe në drejtim të ministrit të Financave, Petrit Malaj.

Pas incidenteve, deputetët demokratë lanë sallën e Kuvendit dhe nuk morën pjesë në votimet e tjera. Gjatë qëndrimit në Parlament, ata vijuan protestën duke qëndruar në foltore dhe duke goditur tavolinat.

Kjo ishte seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, e cila u mbyll pa debat parlamentar, mes tensioneve dhe përplasjeve politike./Versus.al

 

Poll