
Në komisionin e medias, deputetët e PS dhe PD kanë votuar pro raportit të nxjerrë në përfundim të punës sa i takon çështjes së skualifikimit të paligjshëm të disa prej kandidaturave për drejtor të Radio Televizionit Shqiptar.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa lexoi përfundimet e nxjerra në raportin përfundimtar, duke kërkuar shkarkimin e 9 anëtarëve të këshillit nën pretendimin se kanë shpërdoruar detyrën duke mos deklaruar shpenzimet e kryera nga RTSH dhe duke punësur familjarë të tyre në poste të ndryshme.
“Mungojnë në faqen zyrtare shpenzimet e këshillit, informacionet për organizimet e festivaleve të ndryshme, apo aktiviteteve të RTSH të cilat nuk dalin askund si shpenzime. Këshilli nuk ka zbatuar detyrën për të bërë raportim në Kuvend çdo 4 muaj mbi situatën ku ndodhet RTSH. Ndërkohë RTSH është institucion ku janë gjetur shkelje të rënda nga KLSH. Në këto raport ka shuma të mëdha parash, anëtarë të këshillit që ngarkohen me përgjegjësi, mungesë veprimesh për të shmangur humbjen e RTSH.
Këshilli nuk ka patur asnjë reagim për pushimet abuzive nga puna që janë bërë. Nuk mund të fshihen pas drejtorit sepse nëse do të kishte bërë shkelje, kishin mundësi ta shkarkonin. Për sa më sipër, kryesia e komisionit vlerëson se veprimtaria e këshillit të RTSH është në shkelje të plotë të ligjit duke cënuar imazhin e transmetuesit të vetëm publik në vend dhe ndodhen në kushtet e shpërdorimit të detyrës”- tha Zhupa.
Raporti u votua nga deputetët e pranishëm në seancë. Gjatë mbledhjes që u zhvillua herën e kaluar, vetë kreu i Këshillit drejtues të RTSH, Leka Bungo kërkoi shkrirjen e organit duke akuzuar anëtarët e tjerë se kishin bashkëpunuar për të skualifikuar nga gara për drejtor të RTSH, figura të njohura të botës së medias për të pranuar kandidaturën e Aurora Polos, kryetares së komanduar e cila ka mbaruar studimet për inxhinieri. Versus.al







