POLITIKË /

“Zgjedhjet e 11 majit të pazakonta”, Rama: Kur erdhëm në pushtet, nuk ishim as kandidatë për BE

Kreu i qeverisë duke e cilësuar anëtarësimin në BE si "çështje ekzistenciale" tha se më 11 maj vendoset nëse vendi do të ecë më tej në këtë rrugë.

Shkruar nga Versus

“Zgjedhjet e 11 majit të pazakonta”, Rama: Kur erdhëm

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të cilat i konsideroi “të pazakonta”.

Ai tha se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme nuk ka të bëjë vetëm me PS-në, por edhe me të ardhmen evropiane të vendit. Duke e bazuar retorikën në anëtarësimin e vendit në BE, Rama tha se asnjëherë pozitat nuk kanë qenë më të favorshme se aktualisht.

Sipas tij, kur PS erdhi në pushtet, Shqipëria nuk shihej as si vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa tashmë përparimi është shumë i madh.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati do jetë më shumë se rezultat i partive politike dhe në rastin tonë është më shumë sesa thjesht fitore e PS. Rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i zgjedhjeve kanë peshë në të ardhmen e vendit shumë më të madhe se ç’kanë pasur në zgjedhjet e mëparshme.

Për herë të parë që prej se unë jam në krye të PS është hapur një dritare që nuk ka qenë e hapur si sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE. Dëshira jonë për t’u bërë pjesë e BE përputhet me dëshirën dhe ambiciet e BE për të përfshirë Shqipërinë në familjen e vetë. E kanë thënë gjithmonë që e ardhmja juaj është në BE, por asnjëherë yjet nuk janë përputhur si sot. Asnjëherë konteksti gjeopolitik nuk ka qenë asnjëherë më i favorshëm se sot për ne.

Kjo është dritare e hapur në këtë kontekst që edhe mund të ndryshojë. Kini parasysh që kemi dakordësuar me BE një kalendar negociatash të paprecedentë në historinë e integrimit. Shpejtësia me të cilën kemi përparuar në këtë rrugë është e paprecedentë dhe kjo jo vetëm për meritën tonë, por sepse vullneti i BE është i paprecedentë. Kur kemi ardhur ne në këtë zyrë kemi qenë vrima e fundit e kavallit. As për kandidatë nuk na shikonin”- u shpreh Rama para deputetëve dhe ministrave. Versus.al

Poll