
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sërish për zhdukjen “e mistershme” prej 2 vitesh të ish-bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Gjatë një interviste për “Quo Vadis” në Vizion Plus, kryedemokrati hodhi akuza drejt kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë duke thënë se përgjimet e zbardhura në ‘Encrochat’ kanë zbuluar emra të zyrtarëve të lartë të vendit që kanë lidhje me krimin e organizuar.
“Vetëm maja e ajsbergut ka dalë dhe del se Taulant Balla, Edi Rama janë të lidhur me vrasës, me trafikantë, akuzohen për vrasje, për porosi vrasjes, për trafiqe. Është jetike që të zbardhet e vërteta e lidhjes së politikës me krimin”,– tha Berisha.
Sa i takon zhdukjes së Martinajt, Berisha tha se biznesmeni është vrarë dhe më tej akuzoi kryeministrin Rama se ai vetë ka porositur vrasjen e Martinajt.
“Ju e patë publikimin e fundit të gazetarit Elton Qyno, i cili faktonte nga bisedat e bëra midis bandave se porositësi i vrasjes së Ervis Martinajt ishte vetë Rama.
“E ke politike”, i thoshte Bajraj Ervis Martinajt dhe ky i thoshte se “partia jote po më dënon. Pasi Rama e paralajmëroi se ta dimë targën dhe ta do merrem personalisht, Rama angazhoi policinë mbase si ekzekutorë, mbase kanë qenë banditë. Ai u nda në fund me një oficer politie. Kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, ekstraligjore, ekstrakushtetuese”,- deklaroi Berisha.
Ish-bossi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” i zhvilluar në maj të vitit 2022. Gjurmët e fundit të Martinajt janë regjistruar nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të një hoteli në Durrës, në muajin gusht të vitit 2022. Që prej asaj periudhe nuk ka më asnjë provë të re për fatin e biznesmenit. Ndërsa së fundmi janë publikuar edhe biseda që ai ka pasur në aplikacionin “Sky Ecc’ me personazhe të botës së krimit ku flitej për vrasje, shpagime dhe trafik droge. Versus.al







