Thirrjet raciste drejtuar sulmuesit të Real Madridit, Vinicius Jr, gjatë një ndeshjeje të kampionatit spanjoll në stadiumin Mestalla më 21 maj 2023, do t’i kushtojnë shtrenjtë 3 tifozëve të Valencias.
Autoritetet vendase i kanë dënuar ata me tetë muaj burg dhe vendimi i marrë pas një ankese të paraqitur nga La Liga shënon dënimin e parë për racizëm në një ndeshje futbolli në Spanjë.
Tifozët e Valnecias u shpallën fajtorë për një "krim kundër integritetit moral" me "rrethanë rënduese të diskriminimit për motive raciste". Ata fillimisht u dënuan me 12 muaj secili, por më pas dënimi u reduktua me 1/3 pas një marrëveshjeje të arritur në fazën e hetimit paraprak.
Vendimi po ashtu parashikon që tre tifozëve tu ndalohet hyrja në çdo stadium futbolli në të cilin luhen ndeshjet e La Ligës dhe/ose Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) për dy vite.
Pas vendimit, presidenti i La Ligës, Javier Tebas tha: “Ky vendim është një lajm i mrekullueshëm për luftën kundër racizmit në Spanjë, pasi ai shkon në një farë mënyre për të korrigjuar gabimin e turpshëm të vuajtur nga Vinicius Jr dhe u dërgon një mesazh të qartë atyre individëve që shkojnë në një stadium futbolli për të dhunuar. La Liga do t'i identifikojë, do t'i raportojë dhe do të ketë pasoja”.
“Unë e kuptoj se mund të ketë pak zhgënjim në kohëzgjatjen që duhet për të dhënë këto dënime, por kjo tregon se Spanja është një vend që garanton integritetin gjyqësor. Ne në La Liga mund të respektojmë vetëm ritmin e drejtësisë, por edhe një herë kërkojmë që legjislacioni spanjoll të evoluojë për t'i dhënë La Ligës kompetenca sanksionuese që mund të përshpejtojnë luftën kundër racizmit”, shtoi Tebas.
Ndërkohë, Real Madrid reagoi pas marrjes së vendimit, duke thënë se "do të vazhdojnë të punojnë për të mbrojtur vlerat e klubit dhe për të çrrënjosur çdo sjellje raciste në botën e futbollit dhe sportit".







