Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele, ku një 12-vjeçar ka ndërruar jetë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 18:15, ku i mituri është dërguar nga familjarët e tij në spitalin e Traumës. Pavarësisht ndihmës së dhënë nga bluzat e bardha, i mituri banues në Gurrë Petrelë, nuk ka mundur që të mbijetojë.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë në media nga uniformat blu, Policia nuk jep detaje mbi vdekjen e 12-vjeçarit. Mirëpo, për shkak të shenjave rreth qafës, paraprakisht dyshohet për vetëvrasje, mirëpo hetimet vijojnë.
Ato njoftojnë se është ngritur grupi hetimor dhe po heton për shkaqet që i morën jetën 12-vjeçarit. Për këtë janë marrë në pyetje dhe familjarët.
“Tiranë/Informacion paraprak. Më datë 13.10.2024, rreth orës 18:15, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i shoqëruar nga familjarët, një i mitur 12 vjeç, banues në Gurrë Petrelë, i cili pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.







