AKTUALITET /

Nga pulari në magazinë hashashi, zbardhet dëshmia e plotë e Bilal Hasës: Gjatë Covid-it, pulat...

Ish-drejtori i burgut të Rrogozhinës ka mohuar çdo dijeni për 4 mijë bimët kanabis të gjetura në pronën familjare, duke deklaruar se ambientet nuk frekuentohen prej vitesh

Shkruar nga Versus

Nga pulari në magazinë hashashi, zbardhet dëshmia e plotë e

Është zbardhur dëshmia e plotë ish- drejtorit të burgut  të Rrogozhinës, i cili u shpall në kërkim, u vetëdorëzua dhe më pas u lirua brenda ditës, në lidhje me rastin ku në një pronë familjare janë gjetur rreth 4 mijë bimë kanabisi.

Në dëshminë e tij, ai ka mohuar kategorikisht çdo dijeni për aktivitetin e paligjshëm, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me kultivimin dhe se nuk ishte në dijeni të asaj që ndodhte në pronën familjare.

“Kam qenë rrugës duke shkuar për në qytetin e Tiranës për një trajnim në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe, pa mbërritur, kam parë në telefon nga rrjetet sociale për ç’ka kishte ndodhur dhe menjëherë jam kthyer dhe jam paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan për të sqaruar rrethanat,” deklaron ai.

Ai shton se banesa dhe magazina ku është zbuluar plantacioni nuk janë frekuentuar prej vitesh nga familja e tij dhe se aty nuk banon askush prej rreth 10 vitesh.

“Dua të sqaroj se banesa dhe magazina që ndodhet aty kanë shumë kohë që nuk frekuentohen nga prindërit e mi dhe nuk banohet nga njeri prej gati 10 vitesh. Banoj në qytetin e Elbasanit me bashkëshorten dhe dy vajzat e mia,” shprehet ai.

Në dëshmi, ai thotë se në fshat shkon shumë rrallë dhe vetëm për të takuar prindërit, ndërsa shton se hera e fundit ka qenë rreth tre muaj më parë.

“Në fshat shkoj shumë rrallë për të takuar prindërit e mi, të cilët jetojnë me vëllain tim, Romario Hasa. Hera e fundit që kam shkuar ka qenë përpara tre muajsh,” deklaron ai.

Ai vijon duke sqaruar rolin e vëllait në pronë dhe aktivitetet e mëparshme:

“Vëllai im ka në administrim një bar-kafe në qendër të fshatit dhe merret vetëm me lokalin. Për banesën kujdesej vëllai. Magazina më parë ka qenë në funksionin e një pularie që e ka pasur vëllai im. Nga periudha e Covid-it, me sa di unë, vëllait i ngordhën pulat dhe nuk është marrë më me atë pjesë. Vëllai vjen ndonjëherë në lokalin tim kur ka kohë të lirë dhe më ndihmon edhe në banak.”

Ai mohon sërish çdo dijeni për aktivitetin e dyshuar dhe shton edhe detaje për energjinë elektrike:

“Nuk kam dijeni të detajeve se çfarë ndodhet aty. Di që vëllai im atë shtyllë e ka bërë me një kontratë me OSHEE para disa viteve, nuk më kujtohet saktë kur.”

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, vëllai i tij është shpallur në kërkim, së bashku me një punonjës të OSHEE-së, ndërsa një tjetër zyrtar është vënë nën masën detyrim paraqitje. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe rolit të secilit person të përfshirë./Versus.al

Poll