Tetë persona kanë vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor deri më tani këtë vit në Evropë.
Virusi, i cili përhapet nga pickimi i mushkonjave, mund të shkaktojë ethet e Nilit Perëndimor me simptoma që përfshijnë dhimbje koke, ethe, të vjella dhe lodhje, shkruan Politico.eu.
Rreth 80 për qind e njerëzve të infektuar me virus nuk kanë simptoma, ndërsa më pak se 1 për qind e infeksioneve mund të shkaktojnë sëmundje të rënda që prekin sistemin nervor.
Pesë persona kanë vdekur nga virusi në Greqi, dy në Itali dhe një në Spanjë, sipas shifrave të publikuara të hënën nga Qendra Evropiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC), e cila thotë se numrat janë të saktë që nga 31 korriku.
ECDC thotë se numri total i rasteve të raportuara deri më tani këtë vit është brenda kufijve të pritur, edhe pse numri i rasteve në Greqi dhe Spanjë është më i lartë se në vitet e mëparshme.
Greqia ka raportuar 31 raste, Italia 25 dhe Spanja pesë. Austria, Hungaria dhe Serbia kanë raportuar nga dy raste secila, ndërsa Franca dhe Rumania kanë konfirmuar vetëm një rast.
Të gjitha rajonet e prekura këtë vit ose kanë qenë të prekura më parë ose kanë pasur rajone fqinje që kanë raportuar raste.
Nuk ka vaksina apo ilaçe që parandalojnë virusin e Nilit Perëndimor.
Masat për parandalimin e infeksionit përfshijnë përdorimin e mjeteve kundër mushkonjave, veshjen që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit dhe gjumi në dhoma me ajër të kondicionuar./Versus.al








