Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim grupin e strukturuar kriminal të përbërë nga Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Grupi kriminal, sipas SPAK, është përgjegjës për një seri krimesh të rënda që përfshijnë vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë, sigurim kushtesh për vrasje dhe vrasje për gjakmarrje. Aktiviteti i tyre kriminal është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë si Lushnjë, Tepelenë, Peqin, Durrës, Shijak e Korçë, përgjatë periudhës prill 2021 – maj 2023.
Laert Haxhiu – drejtuesi i grupit kriminal
I konsideruar si organizatori dhe drejtuesi i grupit, Laert Haxhiu përballet me një listë të gjatë akuzash të rënda penale. Ai u arrestua në Greqi dhe u ekstradua në Shqipëri në korrik të vitit 2024. Hetimet tregojnë se aktiviteti kriminal i këtij grupi nisi në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij, Klodian Haxhiut, dhe pas arrestimit të dy miqve të tij të ngushtë, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Sipas SPAK, grupi i udhëhequr nga Haxhiu ka ndërmarrë sulme të mirëorganizuara ndaj kundërshtarëve të konsideruar si pjesë e grupit rival të drejtuar nga Aldo Bare. Veprimtaria e tyre ka përfshirë edhe përdorimin e lëndëve plasëse në ambiente publike, duke rrezikuar jo vetëm objektivin, por edhe sigurinë e qytetarëve.
Haxhiu akuzohet për 13 vepra penale të rënda, ku përfshihen:
Vrasje me paramendim (disa herë dhe në bashkëpunim)
Vrasje për gjakmarrje
Vjedhje me armë
Sigurim i kushteve dhe mjeteve për vrasje
Shkatërrim prone me eksploziv
Në disa prej këtyre ngjarjeve janë përfshirë edhe persona të tjerë si Artan Tafani, Lulzim (Arapi) Spahija, Erisiano Abedini, Bledar Berberi, Ligor Romaçka dhe të tjerë.
Ngjarjet kryesore sipas SPAK
1 qershor 2021, Tepelenë: Vrasja me paramendim e Çajup Selimit, kryer për interes.
2 qershor 2021, Korçë: Vrasja me paramendim e Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet më 13 qershor në rezervuarin e Gjançit.
17 tetor 2021, Peqin: Vrasja me paramendim e Alban Semakut (Elton Mermali), në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të grupit.
27 dhjetor 2021, Gjoçaj: Vrasje për gjakmarrje e Albi Bashaliut, në bashkëpunim me Xhahysa, Spahija dhe Tafanin.
8 qershor 2022, Durrës: Vendosje eksplozivi në pronën e Bashkim Rajkut dhe këngëtarit të njohur Rigels Rajku (Noizy).
Prill – maj 2023, Lushnjë: Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen e Genci Hidës.
Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani
Kristi Bixheku, një tjetër pjesëtar kyç i grupit, akuzohet për bashkëpunim në disa nga ngjarjet më të rënda, përfshirë vendosjen e eksplozivit në dy episode ndaj pronës së Bujar Turkut në Lushnjë dhe përgatitjen për vrasje të Genci Hidës.
Ndërkohë, Artan Tafani ka qenë i pranishëm në thuajse të gjitha veprimet kriminale të grupit. Ai është akuzuar për bashkëpunim në vrasje, vendosje eksplozivi, grabitje me armë dhe sigurim të kushteve për vrasje.
Struktura e grupit dhe arsenali i përdorur
SPAK bën të ditur se grupi i strukturuar kriminal kishte siguruar një sasi të konsiderueshme armësh zjarri, eksplozivësh dhe municionesh luftarake, të cilat i përdorte rregullisht për të kryer veprat penale në mjedise publike.
Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu përfshirjen e disa personave të tjerë përveç tre të akuzuarve kryesorë. Ndaj emrave si Lulzim Spahija (i njohur si Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini është paraqitur më parë kërkesa për gjykim.
Hakmarrje dhe pastrim i rivalëve
Sipas dosjes së SPAK, motivi kryesor i veprimeve të këtij grupi ishte hakmarrja ndaj anëtarëve të një grupi rival të drejtuar nga Aldo Bare. Krimet e kryera nuk synuan vetëm eleminimin fizik të kundërshtarëve, por edhe shkatërrimin e pronës dhe frikësimin e publikut.
Pritet vendimi i Gjykatës së Posaçme
Çështja tashmë i është kaluar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritet që të zhvillohen seancat gjyqësore dhe të jepet vendimi përfundimtar. SPAK ka deklaruar se hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë organizatë kriminale.
Ky rast është një ndër më të mëdhenjtë që përfshin një grup të strukturuar kriminal në dekadën e fundit në Shqipëri, me një dosje voluminoze dhe një listë të gjatë viktimash, atentatesh dhe aktesh të dhunshme që kanë tronditur opinionin publik.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale nr. 227/2 të vitit 2023 ndaj një grupi të strukturar kriminal, i përbërë nga Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.
Ata akuzohen për një sërë krimesh të rënda që variojnë nga vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë, sigurim kushtesh për vrasje si edhe vrasje për gjakmarrje.
Laert Haxhiu, drejtues dhe organizator i grupit të strukturuar kriminal akuzohet për veprat e mëposhtme penale:
Në bashkëveprim me Lulzim (Arapi) Spahija kreu krimin“Shkatërrimi i pronës me eksploziv’’, në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më 5.4.2021, në Lushnjë;
Në bashkëveprim me Artan (Marjus) Tafani kreu krimin“Shkatërrimi i pronës me eksploziv’’, në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më 29.5.2021, ora 02:15, Lagjia ‘Gafurr Muço’ pallati Nr.4, Lushnjë;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Erisiano Abedini, Ligor Romaçka e Bujar Abedini kreu krimin“Vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më 1.6.2021, ora 21:15, në Tepelenë;
Në bashkëveprim me Ligor Romacka, Maringlen Topuzi, Bledar Berberi, Artan Tafani dhe Lulzim (Arapi) Spahija kreu krimin“Vrasje me paramendim”, me viktimë Fridman Xhaferraj, më 2.6.2021, trupi i të cilit u gjet i pajetë, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë, më datë 13.6.2021;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Mariglen Topuzi dhe Bledar Berberi, kreu krimin “Vrasje me paramendim” e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
Në bashkëveprim me Enriko Xhahysa, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija, kreu krimin “Vrasje për gjakmarrje”, me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Lulzim Spahija kreu krimin “Vjedhje me armë” të automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.1.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant Bar-Restorant Palmanova,Tiranë;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Dorian Shurdhi (i ndjerë) kreu krimin “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, më datë 20.4.2022, në Lushnje;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Lulzim Spahija dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në dëm të Bashkim Rajku dhe Rigels Rajku (Noizy), ngjarje e ndodhur më 8.6.2022, në Durrës;
Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Fatjon Veliun siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Rexhep Ginës, në Lushnjë, rreth orës 21:00, më 6 korrik 2022;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Kristi Bixheku dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 1.11.2022, në Lushnje;
Në bashkëveprim me Artan Tafani, Kristi Bixheku dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më 31.12.2022, në Lushnjë;
Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Firdeus Berberi, kreu krimin “Vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, ndodhur më 22.2.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
Në bashkëveprim me Artan Tafani dhe Kristi Bixheku, kreu krimin “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023;
Grupi i strukturuar kriminal kishte mundur të siguronte armë, armë shpërthyese dhe municione luftarake në sasira të mëdha dhe i përdorte ato në mjedise publike;
Kristi Bixheku akuzohet për veprat e mëposhtme penale:
Në bashkëveprim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më 1.11.2022, në Lushnjë;
Më 31.12.2022, në Lushnjë, sërish në bashkëveprim me Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Erisiano Abedini, kreu krimin “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku;
Në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Artan Tafani, kreu krimin “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023;
Artan (Marjus) Tafani akuzohet për veprat e mëposhtme penale:
Në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, kreu krimin “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve” për vrasje të Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022, rreth orës 21:00;
Bazuar në aktet e hetimit, arrihet në konkluzionin se aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur drejtuesi dhe organizatori i tij, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi. (Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia në korrik të vitit 2024).
Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal vec të akuzuarve janë edhe:
Lulzim Spahija (Arapi)
Ligor Romaçka
Bledar Berberi
Erisiano Abedini
Ndaj tyre është paraqitur më parë, një kërkesë për gjykim.
Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal e nisi kryerjen e akteve kriminale në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, dhe pas arrestimit të dy miqve të tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
I drejtuar dhe organizuar prej tij, grupi kriminal ndërmorri akte konkrete kriminale për vrasjen e personave që konsideroheshin si anëtarë të grupit kriminal kundërshtar, i cili në atë kohë drejtohej nga Aldo Bare. Aktet kriminale të këtij grupi të strukturuar, nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve, por dhe shkatërrimin e pronës, përmes përdorimit të lëndëve shpërthyese, apo kryerjen e akteve të vjedhjes me përdorimin e armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit dhe Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera që u përmendën mësipër janë organizuar dhe kryer në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive.
Hetimet vijojmë ndaj personave të tjerë.







