
Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim për arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i qytetit më 13 janar. Nga raportet e drejtorisë së burgjeve për Altin Ndocin është zbuluar se i arratisuri nga viti 2020 deri në vitin 2024 kishte kryer në total 4 vizita mjekësore në spital. Ndërsa nga tetori i vitit të kaluar deri në janar kur u arratis, i paraburgosi kishte shkuar 5 herë në spital.
Në tre prej rasteve, vizitat janë kryer kur drejtor ka qenë Indrit Cërloj i cili është arrestuar për shpërdorim detyre. Dyshimet e organit të akuzës janë se vizitat kanë qenë fiktive dhe se i burgosuri nuk ka patur nevoja për konsulta mjekësore.
Vizitat e Ndocit në spital nga viti i kaluar:
1. në datë 08.10.2025-Drejtor Institucioni Ervis Dedej,
2. në datë 24.10.2025-Drejtor Institucioni Edmond Llabani (i komanduar),
3. në datë 26.11.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
4. në datë 18.12.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
5. në datë 13.01.2026-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
Gjithashtu një gjë që ka ngritur dyshime është fakti se daljet e Ndocit në spital nuk janë regjistruar sipas procedurave të domosdoshme.
“Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se për daljet nga IEVP të të burgosurit Altin Ndoci që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026, në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.
Por mes të tjerash hetimet e deritanishme të prokurorisë kanë zbuluar se personazhet me rrezikshmëri të lartë shoqërore të cilët njihen edhe për fuqinë e tyre ekonomike, shoqërohen shpesh për vizita në spitale kundrejt ryshfetit ndaj drejtuesve të burgut.
“Nga informacionet e përftuara në kohë nga SHKBB (Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve) rezulton se shpeshherë shoqërimi për spital i të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe me gjendje të mirë ekonomike, dyshohet se kryhet për t'iu mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit pa kryer asnjë vizitë nga mjekja e burgut e cila kishte firmosur rekomandimin vetëm me kërkesë të kryeinfermierit Aulon Çuko. Versus.al


