
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar mbrëmjen e 25 prillit 2026, rreth orës 23:20, në aksin Librazhd–Elbasan, në zonën e Labinot.
Sipas informacioneve paraprake, një motomjet i drejtuar nga shtetasi A.K., 45 vjeç, ka dalë nga rruga në rrethana ende të paqarta. Si pasojë e përplasjes, ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në motor udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, shtetasja F.K., e cila ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet për zbardhjen e plotë të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se dalja nga rruga mund të ketë ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, por shkaku i saktë mbetet ende për t’u përcaktuar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të hedhur dritë mbi dinamikën e ngjarjes dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik.
Mbrëmjen e së shtunës pati një tjetër aksident tragjik në Lezhë me dy viktima, babë e bijë. Vetëm ditën e premte u regjistruan 6 aksidente, ku 3 persona humbën jetën dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur.

