AKTUALITET /

Tragjedi në Lezhë: babë e bijë gjenden të pajetë në kanal, aksidenti u zbulua pas orësh ankthi

Mjeti përfundoi në kanal teksa ata po ktheheshin në shtëpi. Makina e përmbysur u gjet gjatë patrullimit në aksin Lezhë–Kakarriq, familjarët kishin dhënë alarmin pasi humbën kontaktet

Shkruar nga Versus

Tragjedi në Lezhë: babë e bijë gjenden të pajetë

Një tragjedi e rëndë ka goditur Lezhë, ku babë e bijë kanë humbur jetën në një aksident rrugor që dyshohet të ketë ndodhur në heshtje, për orë të tëra, pa u vënë re nga askush.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur që në orët e pasdites së 25 prillit, por u zbulua vetëm në mbrëmje, pasi familjarët, të alarmuar nga mungesa e kontaktit, kërkuan ndihmën e policisë.

Gjatë një patrullimi në aksin Lezhë–Kakarriq, uniformat blu konstatuan një automjet të përmbysur në një kanal me ujë, në fshatin Gocaj, pranë fabrikës së çimentos. Brenda tij u gjetën trupat e pajetë të dy personave.

Tragjedi në Lezhë: babë e bijë gjenden të pajetë

Viktimat janë identifikuar si Anton Keçi, 52 vjeç, dhe vajza e tij, Bora Keçi, 20 vjeçe.

Sipas të dhënave paraprake, e reja ishte në drejtimin e mjetit dhe dyshohet se ka humbur kontrollin, duke bërë që makina të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanal, ku edhe u përmbys.

Të dy viktimat punonin në kampin e refugjatëve në Gjadër, ndërsa drama u thellua kur djali i familjes, i shqetësuar nga mungesa e tyre, kërkoi ndihmë tek autoritetet.

Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, u konfirmua tragjedia që kishte ndodhur orë më parë, larg syve të kalimtarëve.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë humbje të dyfishtë, që ka tronditur komunitetin.

 

Poll