
Në familjen Dhimaku ka pllakosur zija. Dyer e mortit janë hapur. Mes dhimbjes së papërshkrueshme, familjarë e të afërm, po presin ngushëllime për ndarjen nga jeta të dy vajzave, studente të Mjekësisë, Elvisa 22 vjeç dhe Rozina 20 vjeç.
Sakrificat për të kuruar vëllanë 7-vjeçar, i cili vuan nga leucemia ishin të mëdha jo vetëm nga kryefamiljari që merret me blegtori, por edhe dy vajzat që punonin dy punë për të përballuar kushtet e vështira ekonomike.
Report Tv ishte pranë familjes Dhimaku, ku familjarët mes lotësh tregojnë se dy vajzat shisnin misra në qytetin bregdetar të Sarandës, për të mbuluar shpenzimet e kurimit.
Halla e vajza, thotë se mbrëmjen kur ndodhi aksidenti, Elvisa dhe Rozina kishin mbaruar njërën prej punëve dhe ishin kthyer në banesë për të çlodhur. Pas 30 minutash u nisën për të shitur misra, në Sarandën që gëlon nga turistët.
“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi. Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh...e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, shprehet Shahidja, halla e vajzave mes lotësh.
Djali 7-vjeçar ende nuk është në dijeni që motrat e tij kanë ndërruar jetë. Të gjithë familjarët me dhimbje kërkojnë ndihmë për kurimin e tij, i cili vuan nga leucemia.
“2 yje dy vajza, 22 vjeçe 20 vjeçe, të dyja studente në Tiranë. Prindërit punëtorë në fshat, punonin natë-ditë për ato vajza ti sistemojnë, të studionin. Kërkojnë ndihmë për çunin, zoti të na ndihmojë. Djali nuk di gjë për motrat”, tha Servet Dervishi, daja i vajzave.
“Jetoj në emigrim. Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit, ndihmë kërkojë dhe për djalin se vajti 3 vjet me këto probleme, ka sëmundje gjaku. Kemi luftuar me forcat tona kaq sa kemi pasur mundësi. Djali është 7 vjeç. Në momentin që do e marrë vesh, menjëherë do përkeqësohet gjendja e tij”, shprehet xhaxhai i vajzave Vasil Dhimaku.
Te dyja vajzat studionin mjekësi.







