
Ditën e sotme pritet të ekstradohet në Shqipëri, Denis Bajri (Bajroviç) njëri prej anëtarëve të fisit Bajri që ishte shpallur në kërkim për vrasje e grup kriminal.
37 vjeçari ishte arrestuar në Dubai që më 27 shkurt të vitit 2024 në pritje të ekstradimit që do të kryhet ditën e sotme duke shënuar kështu një tjetër rast të thyerjes së “mitit të paprekshmërisë” së kriminelëve që strehohen në Dubai.
Ndaj Bajrit rëndon akuza e vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 2020-ën në Vaun e Dejës me porosi të dhënë nga Behar Bajri, ndërsa kërkesa ishte bërë nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale: "Vrasja me paramendim", kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve"; "Grupi i strukturuar kriminal"; "Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale"; dhe "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”- thuhet në njoftimin e policisë.
Në 2023-in, u ekstradua nga Franca Behar Bajri i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale. Ai rezulton i përfshirë edhe në dosjen “Metamorfoza” ku përmenden emra të kriminelëve të tjerë të rrezikshëm, biznesmenëve e deri tek zyrtarë policie që aktualisht janë nën masë arresti.
Më 21 shkurt të këtij viti, me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri i njohur si “i forti i Shkodrës”. Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa pak para se t’i viheshin prangat ai guxoi të shfaqej në një intervistë televizive duke mohuar çdo akuzë ndaj tij me pretendimin se ai nuk ishte i përfshirë në ngjarje kriminale. Versus.al







