
Meteorologët kanë ngritur alarmin se viti 2027 pritet të jetë edhe më i nxehtë se vitet e fundit, si pasojë e fenomenit klimatik El Nino, i cili parashikohet të rrisë temperaturat mesatare globale dhe të përkeqësojë fenomenin e thatësirës në shumë vende të botës.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), ndonëse El Nino zhvillohet në brigjet e Oqeanit Paqësor, ndikimi i tij shtrihet në shumë rajone të globit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe periudhat e gjata pa reshje po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në vendin tonë, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve gjatë sezonit veror.
Specialistja e IGJEUM, Anira Gjoni, ka theksuar se verat po karakterizohen nga valë të forta të të nxehtit dhe thatësira të zgjatura, fenomene që lidhen si me ndryshimet klimatike ashtu edhe me ndikimin e El Nino-s.
Për muajt në vijim, meteorologët parashikojnë një korrik të nxehtë dhe të thatë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të tregojnë kujdes të shtuar për parandalimin e zjarreve në pyje dhe zonat e mbrojtura.
Ndërkohë, vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën ka sjellë edhe në Shqipëri temperatura të larta gjatë natës, të njohura si “netë tropikale”. Megjithatë, sipas parashikimeve, fundjava pritet të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave dhe netë më të freskëta në pjesën më të madhe të territorit.
Ekspertët paralajmërojnë se vitet e ardhshme mund të shënojnë rekorde të reja temperaturash, duke e bërë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike një sfidë gjithnjë e më të madhe për Shqipërinë dhe rajonin.Versus.al

