
Në ditën e 26-të, mijëra qytetarë janë mbledhur sërish këtë mbrëmje në sheshin para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Me pankarta dhe flamuj kuq e zi, protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshin “Skënderbej” e më pas iu drejtuan Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Në protestë marrin pjesë, të rinj e të reja, qytetarë të moshave të ndryshme, të shoqëruar me fëmijët e tyre.
Ata kërkojnë që kjo klasë politike e vjetër të largohet dhe vendin e saj ta zënë të rinjtë.
Në nisje të mitingut, aktivistja Sidorela Vatnikaj, renditi kërkesat politike të protestës, ku në krye të saj është dorëheqja e qeverisë e më pas krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12 muaj e cila do të përgatisë vendin për zgjedhje.
Pesë kërkesat e protestës
1. Dorëheqja e qeverisë
Kërkohet dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë kabinetit qeveritar.
2. Qeveri teknike tranzitore
Propozohet krijimi i një qeverie teknike jopartiake me mandat 12-mujor.
3. Kushtetutë e re
Kërkohet hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazi para ligjit dhe miratimi i saj me referendum popullor. Në këtë kuadër përfshihet:
ndryshimi i Kodit Zgjedhor
ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike
kufizimi i mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate gjatë jetës politike të një individi
4. Paketë ligjore ekonomike dhe mjedisore
Kërkohet:
anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”
anulimi i ligjit për “Trashëgiminë Kulturore”
shfuqizimi i “Paketës së Maleve”
shfuqizimi i ligjit për “Investimet Strategjike”
5. Kontratë e re sociale
Kërkohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të propozuar nga vetë protesta.Versus.al
Versus.al

