
Ditën e sotme Altin Dumani mbyll detyrën e tij si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në fund të mandatit tre vjeçar Dumani do ti dorëzojë nesër karrigen e kryeprokurorit pasardhësit të tij, Klodjan Brahos, i cili u zgjodh javën e kaluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota.
Altin Dumani është cilësuar si një “prokuror i hekurt” për shkak se hetoi dhe nxori para drejtësisë zyrtarë dhe politikan që askush nuk kishte guxuar ti gjykonte, pavarësisht sulmeve nga politika që herë pas here e etiketonin si të “kapur”.
Altin Dumani që në nisjen e detyrës së tij në krye të SPAK dha mesazh të qartë: “Përmbi ligjin nuk është askush”. Kjo gjë u vërtetua me fakte gjatë punës së tij, që mund të konsiderohet e suksesshme, në tre vite u sekuestruan rreth 37 milionë euro pasuri dhe janë hetuar 17 zyrtarë të nivelit të lartë, janë goditur disa grupe kriminale, janë çmontuar fijet e bandave shqiptare të cilët operonin në të gjithë botën. Shifra dhe rezultate këto që dëshmojnë intensitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë drejtimit të tij, SPAK hetoi figura të rëndësishme politike si Sali Berishën, Ilir Metën, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Belinda Ballukun.
Dumani ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të SPAK, duke zëvendësuar Arben Krajën gjatë mungesave të tij. Ai udhëhoqi operacione të rëndësishme, përfshirë arrestimin e 13 personave në vitin 2021, mes tyre edhe një gjyqtare në detyrë, si dhe bashkëdrejtimin e operacionit “Plumbi i Artë”, ku u goditën koka të rëndësishme të krimit të organizuar.
Ndërkohë që në dhjetor të 2022, ai u zgjodh kreu i SPAK, dhe me punën përgjatë gjithë këtyre viteve duket se ka lënë pas një periudhë që për shumë qytetarë shënoi rikthimin e shpresës dhe besimit se drejtësia mund të funksionojë pa dallime politike.
Por pavarësisht se tani do të quhet si ish-kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani do të vijojë punën në këtë Strukturë, krah kolegëve dhe për të hetuar grupet kriminale dhe zyrtarët e korruptuar./Versus.al

