Altin Çoku, i cili është personazh i njohur në TikTok, është dënuar me 6 vite burg nga Gjykata, disa ditë më parë, për shkaktimin e vetëvrasjes së Sibela Abedinit, pasi postoi foto intime të 27-vjeçares në vitin 2024.
Ndërkohë detaje të reja janë bërë të ditura nga tezja e së ndjerës, Elona Selmani e cila deklaroi se Sibela është shtyrë nga tarraca, dhe nuk është hedhur ashtu siç është deklaruar, duke shtuar se ajo është e gatshme të dëshmojë edhe në gjyq.
“Gjatë debatit e kanë shtyrë Sibelën, jo me dashje besoj, por ka qenë incident. Di dhe disa gjëra të tjera. Sibela ka rënë me telefon, si ka mundësi që telefoni është gjetur lart? (tarracë)” është shprehur ajo për ‘Shqipëria Live’ në Top Channel.
Ndërkohë më tej ka shtuar edhe një tjetër detaj tronditës, i cili nuk ishte bërë i njohur më parë, pasi deklaroi se Altin Çoku ka pasur marrëdhënie intime me nënën e Sibelës dhe jo me 27-vjeçaren.
“Vetë Sibela më ka thënë në telefon se nëna e saj është duke u njohur me Altin Çokun”, tha më tej Elona Selmani.
Sipas dosjes hetimore Sibela Abedini kishte pasur një raport intim me të dënuarin Altin Çoku, ndërsa ky i fundit kishte publikuar në rrjete sociale disa foto të bëra me telefon, ku ata shfaqeshin së bashku.
Kur Sibela Abedini, ka parë foton e saj intime, (e cila mbahej në celularin e të pandehurit) të hedhur në rrjetin social “Tik Tok”, e ka përjetuar shumë keq këtë dhe rezulton t’i ketë thënë të pandehurit, se ajo do ti jap fund jetës.
Mesazhi i fundit që Sibela Abedini i ka dërguar të pandehurit Altin Çoku, po sipas dosjes ishte: “…Pasha zotin pasha gocën me shkatërrut si njeri për atë natë me ankth e me stres nga kjo gjo më bot gjys njeri more. Ça asht, tu u bo kështu. Kisha kohë që kisha lan ilaçet me at foto m…i. Tash ja kam nis prap. E shoh pasha zotin, është shkrujt për mu me lanë femijën jetim më vdekt goca po se ne fëmijën nuk betohem rrejshëm. Po qënka vendos, për një foto fëmijën jetim me ma lan…”.
Pas këtij mesazhi, e reja i ka dhënë fund jetës së saj.

