Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë mblidhen sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me masën e sigurimit “arrest në burg”, veçanërisht kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës penale.
Në qendër të diskutimit është rishikimi i vendimit unifikues të vitit 2011, i cili përcaktonte se gjykata nuk kishte detyrim të analizonte pse masat alternative nuk ishin të përshtatshme, mjaft që të argumentonte se “arresti në burg” ishte masa e duhur në rastin konkret.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, ky qëndrim duhet të ndryshojë, duke theksuar se vendimet për masat e sigurimit duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, si dhe të shpjegojnë qartë pse nuk zbatohen masat alternative.
Në dokumentin shoqërues nënvizohet gjithashtu se nuk duhet të mjaftojë vetëm rrezikshmëria e veprës penale për caktimin automatik të “arrestit në burg”, por duhet të vlerësohen edhe kushte të tjera si rreziku i ikjes, prishja e provave apo intimidimi i dëshmitarëve.
Po ashtu, rishqyrtim kërkojnë edhe formulime të tjera të vendimit të vitit 2011, përfshirë ato që lidhen me mënyrën e vlerësimit të rrezikshmërisë së autorit dhe barrën e provës në këto raste.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4,503 të dënuar dhe të paraburgosur, nga të cilët 2,573 janë në pritje të një vendimi përfundimtar të fajësisë./Versus.al

