AKTUALITET /

Iu pre jeta në mes nga djali i policit me X5, Kristo Liço, punonjës i Wolt, erdhi në Tiranë për të punuar! Kompania dhe policia heshtin

Sipas të dhënave në media, 18 vjeçari që shkaktoi aksidentin u lirua nga komisariati pas pak orësh. Dyshohet se shkak për këtë janë bërë lidhjet e babait të tij që raportohet se punon si polic.

Shkruar nga Versus
Iu pre jeta në mes nga djali i policit me X5, Kristo Liço,
Indjeri Kristo Liço dhe vendi ku u mbajtën homazhe për të

Më 1 prill të këtij viti një aksident tragjik ndodhi në rrugën ‘Naim Frashëri’ në Mëzez të Tiranës, ku një 18 vjeçar që drejtonte mjetin “BMW X5” përplasi 33 vjeçarin Kristo Liço, punonjësin e kompanisë “Wolt”.

33 vjeçari i cili kishte ardhur në Tiranë nga Përmeti me ëndrra dhe plane për të punuar, ndërroi jetë në spitalin e Traumës pak ditë pas aksidentit duke lënë një plagë të thellë për familjen e tij. Të gjithë që e njihnin e përshkruanin të ndjerin si djalë punëtor të pashoq. Ndërsa kompania për të cilën punonte, “Wolt” deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim përsa i takon faktit që një prej punonjësve të tyre ndërroi jetë në mënyrë tragjike.

Nuk është hera e parë që kjo kompani hesht pasi nuk ka patur asnjë reagim edhe për protestat që motoristët kanë bërë duke u ankuar se po zëvendësohen me punonjës indianë të cilët paguhen shumë më pak.

Përveç heshtjes nga kompania e të ndjerit, e njëjta heshtje është pasuar edhe nga policia e shtetit. Pavarësisht se aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga 18 vjeçari Endri Brailika, policia e ka liruar menjëherë pas shoqërimit në komisariat. Adoleshenti kishte vetëm 3 muaj që e kishte marrë patentën dhe nuk i lejohej të ngiste një makinë të tillë, por mesa duket e ka marrë guximin nga fakti se babai i tij është punonjës i policisë së shtetit.

Të afërmit e Kristit kërkojnë drejtësi dhe transparencë si dhe kanë njoftuar një protestë që do të mbahet ditën e nesërme në orën 10:00 para gjykatës së Tiranës. Versus.al

Poll