AKTUALITET /

Një javë në rrugë: Korrierët protestojnë për pagë të drejtë, menaxherja e Wolt i kërcënon me largim nga puna

Korrierët e Wolt në Tiranë nuk po kërkojnë luks, por një minimum dinjiteti për punën që mban në këmbë gjithë zinxhirin e porosive online.

Shkruar nga Versus

Një javë në rrugë: Korrierët protestojnë për

Prej disa ditësh, korrierët që shpërndajnë porositë e Wolt në Tiranë kanë ndërprerë punën dhe janë bashkuar në protestë, duke kërkuar ndryshime në mënyrën e pagesës dhe në kushtet e punës.

Ata thonë se aktualisht paguhen vetëm me përqindje, në varësi të dërgesave të kryera, pa një pagë bazë të garantuar. Kjo, sipas tyre, i ekspozon ndaj të ardhurave të paqëndrueshme, ndërkohë që kostot fikse si karburanti, mirëmbajtja dhe amortizimi i mjetit mbeten të njëjta.

Debati u përshkallëzua pasi në qarkullim doli një mesazh i brendshëm, ku theksohej se korrierët nuk janë punonjës të drejtpërdrejtë të Wolt, por të një kompanie partnere, GMS, dhe se pagesa e tyre është vetëm me përqindje.

Në të njëjtin komunikim, korrierëve u bëhej me dije se pjesëmarrja në protestë do të konsiderohej si largim automatik nga puna.

Një javë në rrugë: Korrierët protestojnë për

Ky formulim ngre pikëpyetje si për statusin e saktë të tyre si punëmarrës, ashtu edhe për mënyrën si trajtohet e drejta për protestë.

Në planin ligjor, Kodi i Punës parashikon mundësinë e pagesës me normë ose përqindje, me kusht që të ardhurat mujore të mos bien nën pagën minimale dhe mënyra e pagesës të jetë e përcaktuar qartë në kontratë. Po ashtu, ligji kërkon që shpenzimet e lidhura ngushtë me kryerjen e punës të mos i kalohen në mënyrë të padrejtë punëmarrësit. Në rastet kur shërbimi ofrohet përmes një kompanie ndërmjetëse, kushtet themelore të punës pritet të jenë të ngjashme me ato të punonjësve të tjerë në të njëjtin zinxhir.

Paralajmërimi për “largim automatik” nga puna në rast pjesëmarrjeje në protestë hap një diskutim më të gjerë mbi procedurat e ndërprerjes së marrëdhënies së punës dhe mbi mbrojtjen e së drejtës për organizim dhe protestë.

Në praktikë, largimet zakonisht kërkojnë një procedurë të dokumentuar, ndërsa nxitja për të mos marrë pjesë në protesta shihet si një formë presioni ndaj punëmarrësve.

Rasti i korrierëve të Wolt në Tiranë nxjerr në pah sfidat e modelit të punës në platformat e shpërndarjes, ku fleksibiliteti i ofruar nga aplikacionet përplaset me pasigurinë që raportojnë ata që punojnë në terren.

Sektori ka njohur rritje të shpejtë, por vazhdon të përballet me boshllëqe në formalizim, transparencë kontratash dhe mbikëqyrje nga autoritetet.

Deri në momentin e publikimit, korrierët deklarojnë se do të vijojnë protestën derisa të marrin përgjigje për kërkesat e tyre, ndërsa nga ana e kompanisë mungon një sqarim i plotë publik mbi strukturën e pagesës, kontratat dhe komunikimet e brendshme që kanë ndezur reagimin./Versus.al

Tags:

wolt

Poll